Lidhje

Senati dhe votimi për projekligjin e ri të taksave


Kjo javë do të jetë vendimtare për një nga çështjet kryesore të axhendës së presidentit Trump në vitin e parë në detyrë, pa arritje legjislative të rëndësishme ndërsa Kongresi po i afrohet zgjedhjeve të mesmandatit. Në ditët në vijim, republikanët e Senatit shpresojnë të miratojnë një projektligj me ndryshime thelbësore në sistemin amerikan të taksave. Por ende nuk është e qartë, nëse ata i kanë votat përballë opozitës së bashkuar demokrate.

Gjatë garës për postin e presidentit, Donald Trump premtoi të shfuqizojë ligjin për kujdesin shëndetësor të njohur gjerësisht si “Obamacare”, të ndërtojë një mur në kufi me Meksikën dhe të ulë taksat që amerikanët i paguajnë qeverisë federale. Sot “Obamacare” mbetet ende në fuqi dhe Shtëpia e Bardhë nuk ka asnjë ide se kur mund të nisë ndërtimi i murit në kufi. Por çfarë po ndodh me taksat?

Gjatë këtij muaji, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi projekligjin më të rëndësishëm në më shumë se një dekadë.

"Kemi nevojë t’i rikthehemi rritjes dhe të ofrojmë mundësi. T’i kthehemi asaj që njihet si “Ideja Amerikane”, - tha kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan.

Republikanët propozojnë uljen e taksave mbi pagat në të gjithë vendin, për disa vjet, ndërkohë që propozojnë uljen përgjithmonë të taksave për korporatat si dhe rrisin gjatë një dekade me 1.5 trilionë dollarë borxhin kombëtar të Amerikës.

"Republikanët kanë sjellë një projektligj që do të dëmtojë klasën e mesme për të mbushur xhepat e më të pasura. Do t’u krijojë avantazhe me taksat korporatave që vendet e punës po i dërgojnë jashtë Amerikës si dhe do të rrisë në mënyrë drastike borxhin kombëtar", - tha udhëheqësja e pakicës demokrate Nancy Pelosi.

Tashmë vëmendja është përqëndruar tek Senati, atje ku republikanët duan t’i bashkojnë propozimit të tyre për uljen e taksave edhe shfuqizimin e një kërkese që parashikohet në ligjin “Obamacare”, ndëshkimin me gjobë në rastin e mospasjes së sigurimit shëndetësor.

"Ata po shkojnë drejt dështimit. Ata po u ulin taksat të pasurve dhe po u heqin kujdesin shëndetësor miliona amerikanëve", - thotë Chuck Schumer udhëheqësi i pakicës në Senat.

Edhe nëse republikanët e Senatit e miratojnë projekligjin e tyre të taksave, një variant i bashkërenduar me atë të Dhomës së Përfaqësuesve do të kthehej sërisht për votim në të dyja dhomat, një sipërmarrje e vështirë kur nuk mbetet shumë kohë nga fillimi i pushimeve për Krishtlindje.

"Besoj dhe shpresoj që ta mbyllim përpara Krishtlindjeve", thotë senatori republikan Tim Scott.

Presidenti Trump vazhdon të flasë me nota optimiste.

"Do t'i dhurojmë popullit amerikan për Krishtlindje taksa shumë të ulta, do të jetë një dhuratë e mrekullueshme për ta".

Republikanët gëzojnë një shumicë të ngushtë prej dy votash në Senat dhe nuk ia kanë dalë të tërheqin mbështetjen e demokratëve në miratimin e axhendës së tyre legjislative.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG