Lidhje

Çështjet politike të javës në Uashington


A duhet të rifillojë dhënia e asistencës për të papunët në Amerikë – do të vazhdojë të jetë në fokus të debatit në senat këtë javë. Asistenca për më shumë se një milion amerikanë u ndërpre në dhjetor, duke përkuar me ngadalësimin dramatik të vendeve të punës.

Shkalla e papunësisë është 6.7 përqind me më shumë se një milion amerikanë që nuk janë më në gjendje të marrin asistencë.

Ndihma e zgjatur për të papunët është kundër-produktive, thotë senatori republikan John Cornyn.

“Ne duhet t’i ndihmojmë njerëzit të mos mbeten të varur tek programet e qeverisë pafundësisht, por t’i ndihmojmë të rifitojnë respektin për vete dhe sensing e dinjitetit duke gjetur punë dhe duke kontribuar në familjet e tyre”.

Por vendet e punës mbeten të pakta dhe shumë amerikanë kanë nevojë për ndihmë, thotë senatori demokrat Edward Markey.

“Njerëzve që u ofrohet një punë e marrin atë. Por punë nuk ka. Kjo nuk është për fajin e familjeve dhe as të atyre që kërkojnë punë. Ne nuk duhet t’i dënojmë ata.”

Demokratët propozuan fillimisht një zgjatje tre mujore të asistencës për papunësinë. Republikanët kërkuan që shkurtimet e shpenzimeve federale të kompensojnë kostot. Senatori republikan Jeff Sessions:

“Projektligji për papunësinë para nesh sot nuk bën asnjë përpjekje për të gjetur fusha ku mund të kryen shkurtime në këtë qeveri kaq të madhe, që merr hua çdo qindarkë.”

Senatorët demokratë u përgjigjën me një plan që nuk ngre defiçitin, por zgjat asistencën për papunësinë për gati një vit. Republikanët kërkojnë ta ndryshojnë këtë projektligj dhe u ankuan kur demokratët e shumicës i bllokuan. Udhëheqësi i pakicës Mitch McConnell:

“Në se demokratët vërtet duan të arrijnë objektiva këtë vit, duhet të mësojnë si të punojnë me ne.”

Senatori demokrat Jack Reed thotë se republikanët po harxhojnë kohë të çmuar ndërsa amerikanët kanë vështirësi ekonomike.

“Çdo javë, 70,000 mijë njerëz humbasin mbështetjen. Do të shohim që ky numër do rritet ndërsa ne vazhdojmë të flasim.”

Projektligji ka nevojë për mbështetjen e të paktën pesë republikanëve që të hidhet në votimin përfundimtar. Javën e kaluar, udhëheqësi i shumicës Harry Reid premtoi debat për disa nene, por akuzoi republikanët për standarte të dyfishta për çështjen e asistencës së papunësisë.

“Ish presidenti Bush zgjati asistencën emergjente për papunësinë pesë herë. Në asnjë nga këto pesë herë nuk pati një republikan që të ankohej si do të paguhej kjo asistencë.”

Projektligji duhet të miratohet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve e dominuar nga republikanët për t’u kthyer në ligj.

Po këtë javë, presidenti Barack Obama pritet të vendosë për rekomandimet për reformimin e programit amerikan të përgjimeve që u ekspozua nga ish kontraktori i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare Edward Snowden.
XS
SM
MD
LG