Lidhje

Sequi: Mbani gjallë dialogun me BE


Ambasadori i BE-së në Tiranë: Muajt e ardhshëm të rëndësishëm për Statusin. Ambsadori grek premton mbështetje: Venizellos vizitë në fund të muajit

Në Tiranë ambasadori i delegacionit të Bashkimit europian Ettore Sequi tha sot se muajt e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit europian e për këtë është e rëndësishme që dialogu me Bashkimin europian të mbahet gjallë mbi një sërë cështjesh me rëndësi. Komentet e zotit Sequi u bënë gjatë një konferencë të përbashkët me ambasadorin grek Leonida Rokanas, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së BE-së e ka premtuar mbështetje ndaj Shqipërisë

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00


Provimi i radhës në Bruksel në qershor për cështjen e Statusit të vendit kandidat është sfida kryesore e Shqipërisë në muajt që do të pasojnë. Ambasadori i delegacionit të Bashkimit europian Ettore Sequi e nënvizoi me forcë sot këtë moment: “Periudha e ardhshme do të jetë shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe udhën e saj drejt Bashkimit Evropian. Në qershor do të merret një vendim mbi statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, prandaj është me rëndësi të madhe që dialogu me BE-së të mbahet gjallë mbi një gamë çështjesh me rëndësi, veçanërisht mbi ekonominë, shtetin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe agjendën e përgjithshme të zgjerimit”.

Shqipëria priste që të mund të merrte Statusin që dhjetorin e kaluar dhe autoritet e këtushme nuk e fshehën zhgënjimin. Kryeministri Edi Rama e lidhi vendimin e marrë nën trysninë e vendeve të rëndësishme të Bashkimit europian, me situatat e brendshme politike të tyre për shkak të rritjes së peshës së forcave ekstremiste që janë kundër zgjerimit. Ambasadori i Greqisë, Leonida Rokanas, vendi i së cilit ka presidencën e BE-së në gjashtëmujorin e parë të vitit, pranoi problemin e euroskeptikëve, por "sipas mendimit tim kjo nuk ka luajtur një rol përcaktues në vendimin e Këshillit të Dhjetorit. Këshilli nuk e refuzoi statusin kandidat. Ai tha se kërkonte më shumë rezultate. Kjo ishte e vetmja gjë që u tha. Nuk ju tha JO Shqipërisë. Si Raporti i Komisionit, ai për Strategjinë e Zgjerimit, Raporti vjetor i Komisionit dhe vetë vendimet e Këshillit janë jashtëzakonisht pozitive për Shqipërinë", tha ai.

Greqia ka përsëitur disa herë se ajo do të mbështesë fuqimisht Shqipërinë. Ministri i Jashtëm grek Venizellos pritet të vizitojë vendin në fund të këtij muaji. Ai nuk ishte mes kolegëve të 8 vendeve të tjera europian që u reshtuan publikisht, përmes një letre zyrtare, në favor të dhënies së Statusit për Shqipërinë në dhjetor. Por sipas ambasadorit Rokanas kjo kishte të bënte me një cështje parimi, që BE duhet të flasë me një zë të vetëm.

Ndërsa do të duhet të japë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për cështjen e Statusit, falë një nisme të komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle, Shqipëria ka nisur atë që është quajtur si Dialog i Nivelit të lartë me Brukselin, një përpjekje për të ndihmuar vendin për përmbushjen e detyrimeve të përcaktuar për fazën e dytë, atë të hapjes së bisedimeve për anëtarësim. Pas takimit të parë në nëntor, ai i radhës, sic shpjegoi sot ambasadori Sequi, pritet në mesin e muajit shkurt, dhe për përgatitjen e tij, në Tiranë ndodhet edhe një mision i Komisionit europian.
XS
SM
MD
LG