Lidhje

Serbët e Mitrovicës kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë


Më parrullën “duam zgjedhje e jo dogana”, në veriun e Kosovës të banuara me shumicë serbe sot është protestuar kundër marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe kundër planeve të qeverisë së Serbisë që të mos organizojë zgjedhjet e saj në veriun e Kosovës. Autoritetet serbe thanë se zgjedhjet pritet të mbahen nga fillimi i muajit maj, ndërsa shpallja a tyre pritet të bëhet me 13 mars, ndërsa është lënë e hapur mundësia që të shmanget organizimi i tyre në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Nëse kjo ndodhë do të ishte hera e parë qe zgjedhjet serbe të mos mbahen në Kosovë.

Kjo mundësi ka nxitur shumë reagime në mesin e serbëve ne veriun e Kosovës, të cilët këtë e shohin si hap drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Përfaqësues të serbëve në veri thanë në protestën e sotme se në këtë mënyrë duan t’i dërgojë Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare mesazhin se serbët duan të mbeten dhe jetojnë në shtetin e tyre dhe për këtë arsye Beogradi duhet të shpallë zgjedhjet edhe ne Kosovë.

Dy javë më parë serbët në veri mbajtën një referendum me të cilin kundërshtuan çdo mundësi për pranimin e institucioneve të Kosovës. Referendumi u cilësua i paligjshëm nga Prishtina dhe bashkësia ndërkombëtare, ndërsa u cilësua i dëmshëm dhe i panevojshëm edhe nga Beogradi zyrtar.

Por serbët në veri thanë se referendumi sikurse edhe barrikadat që vazhdojnë të qëndrojnë në rrugët e zonës janë pjesë e luftës kundër institucioneve të Prishtinës dhe kundër pavarësisë së Kosovës.

Përfaqësuesit e serbëve ne veri kundërshtojnë marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht atë për menaxhimin e përbashkët të kufirit, e cila sipas tyre paraqet njohje të kufirit të Kosovës si kufi shtetërorë.

Në protestën e sotme e cila përfundoi pa incidente janë dëgjuar edhe thirrjet kundër synimeve për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG