Lidhje

Lista serbe largohet nga qeveria e Kosovës


Lista serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, vendosi të largohet nga qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Shefi i kësaj liste, Goran Rakiç, tha të martën në Beograd pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se muajin e ardhshëm kur mbushen pesë vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit në kuadër të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të fillojnë vet ngritjen e asociacionit të komunave më shumicë serbe. Ai tha se lista ka mbështetjen e presidentit serb për veprimet e saj.

Lista serbe largohet nga qeveria e Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:10 0:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci tha të martën se zhvillimet e djeshme ishin një provokim nga shteti i Serbisë dhe këtë e konfirmoi edhe vendimi i Listës serbe për daljen nga institucionet e Kosovës.

"Zhvillimet e së hënës, janë në kundërshtim me angazhimet për dialog dhe për ndërtim të paqes së qëndrueshme në Kosovë, si dhe cenim i përpjekjeve për normalizim të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë. Bëj ftesë që të respektohet dhe të ruhet fryma e dialogut në mes Kosovës e Serbisë dhe të mbesim të fokusuar në normalizimin e marrëdhënieve, në ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe pajtim", thuhet në një komunikatë të presidentit Thaçi.

Me tej ai thekson se ka biseduar me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, për nevojën e uljes së tensioneve, "sepse dialogu nuk ka alternativë dhe të gjithë duhet të fokusohemi në rrugën përpara".

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili mblodhi të martën Këshillin e Sigurisë e cilësoi të ngutshëm këtë veprim duke u bërë thirrje përfaqësuesve të listës serbe që të reflektojnë mbi vendimet e tyre.

“Mendoj që është një paralajmërim i ngutshëm i tyre, i ngutshëm dhe i dëmshëm, nuk bën ashtu. Ne e pamë dje kur nuk ka komunikim të mirëfilltë deri ku mund të shkojnë zhvillimet. Nuk është mirë të testohet durimi i askujt deri në fund, më mirë është t’i kthehemi tavolinës dhe t’i shtyjmë temat së bashku, por njëanshëm nuk mendoj se është në dobi të askujt dhe jam thellë i bindur se do ta gjejmë një gjuhë të komunikimit që punët t’i kryejmë si i ka hije në tavolinë, por jo ashtu, jo njëanshëm jo me mohim”, tha kryeministri i Kosovës.

Njësitë e policisë së Kosovës ndërhynë të hënën në veri për të shpërndarë një tubim në të cilin po merrnin pjesë zyrtarë serbë që kishin hyrë në Mitrovicë me gjithë ndalesën nga autoritetet e Prishtinës. Policia arrestoi dhe e dërgoi në Prishtinë shefin e zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili bashkë me sekretarin e përgjithshëm i presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviç, hynë në Mitrovicë jashtë rrugëve të ligjshme.

Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë të tubuarit. Marko Gjuriç, më pas u dëbua në Serbi. Veprimi nxiti reagime të ashpra të Beogradit i cili akuzoi edhe fuqitë perëndimore për mbështetje të ndërhyrjes së policisë së Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, tha se veprimet e djeshme nuk kanë qenë të drejtuara ndaj komunitetit serb në Kosovë, por ishin të pashmangshme dhe në pajtim me ligjin.

“Arrestimi i djeshëm i zyrtarit të Serbisë, në këtë rast Marko Gjuric, nuk ishte një veprim i këndshëm ose i pëlqyeshëm prej nesh, por ishte zbatim i ligjit pra i pa alternativë meqenëse hyrja ishte ilegale dhe në këtë rast vlejnë procedurat standard të cilat i kanë zbatuar organet e rendit, policia dhe institucionet tjera me profesionalizëm”, tha zoti Haradinaj.

Lista Serbe, është pjesë e koalicionit qeverisës në Kosovë dhe largimi i saj e lë qeverinë pa shumicën në parlament duke krijuar rrethana të reja në vend, që mund të çojnë në zgjedhje të parakohshme apo rikonfigurim të qeverisë.

Kryeministri Harandinaj, mohoi mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, por tha se mbetet i hapur për mundësi të tjera.

“Dorëheqje s’e kam në plan të jap, punën e kam në plan ta vazhdoj seriozisht, ata që e pëlqejnë punën e qeverisë ju shprehi partneritet, ata që shkojnë e hyjnë e dalin nuk kam ndonjë vendim tjetër për ta”, tha zoti Haradinaj.

Grupe qytetarësh serbë bllokuan për pak kohë të martën një nga rrugët kryesore në veri që çon drejt vendkalimit kufitar Jarinje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këshilli i Sigurisë e vlerësoi megjithatë të qetë situatën në Kosovë pas zhvillimeve të një dite më parë.

Bashkimi Evropian dhe diplomatët amerikanë në Prishtinë e Beograd, kanë bërë thirrje për vazhdimin e dialogut si rrugë pa alternativë për zgjidhjen e problemeve dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG