Të mërkurën qeveria e Kosovës tha se është përmbyllur procesi i gërmimeve në Kizhevak të Rashkës, në Serbinë jugperëndimore, ku janë zbuluar trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Në një njoftim të qeverisë thuhet se “në bazë të ekzaminimit antropologjik është konstatuar se numri minimal i individëve të zhvarrosur është nëntë, prej të cilëve dy janë të identifikuar, përmes metodës së ADN-së, në fazën e parë të procesit të zhvarrimit”.
Gërmimet filluan më 30 nëntor të vitit të kaluar pak ditë pasi që hetuesit mjeko-ligjorë duke përdorur pamje satelitore, thanë se ka gjurmë të trupave në një minierë të hapur në Kizhevak.
Dimri ndërpreu gërmimet që rifilluan më 5 maj të këtij viti.
Kizhevaku nuk është shumë larg minierës së Rudnicës në Serbi, ku në vitin 2013 u gjet një varrezë masive me eshtrat e 52 shqiptarëve të Kosovës.
Kryesuesi i delegacionit të Kosovës për bisedimet mbi çështjen e të zhdukurve gjatë luftës, Ibrahim Makolli, tha se “ka një numër varrezash të dyshuara në Serbi që ne besojmë se do të trajtohen në muajt dhe javët e ardhshme”. Ai tha se “sipas zyrtarëve serbë, ka dyshime për 16 varreza masive. Kjo është varreza e peste dhe kërkojmë përgjigje për 11 vende të tjera ku mund të ketë trupa të të vrarëve”, tha ai.
Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre.
Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e rreth 800 shqiptarëve të Kosovës.
Edhe 22 vjet pas luftës, në Kosovë ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi një mijë e 600 personave të zhdukur, pjesa më e madhe e tyre të përkatësisë kombëtare shqiptare.
Facebook Forum