Lidhje

Serbia dhe Maqedonia, përpjekje për përmirësimin e marrëdhënieve


Ministrat e jashtëm të Serbisë dhe Maqedonisë, Ivica Daçiç dhe Nikolla Dimitrov u takuan sot në qytetin e Nishit për të diskutuar mbi mënyrat e afrimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, pas tërheqjes së personelit të ambasadës serbe në Shkup, para pesë ditësh.

Takimi pason bisedat telefonike midis presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev, në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit diplomatik. Incidenti diplomatik u shkaktua pasi Beogradi akuzoi Shkupin se kishte përgjuar dhe spiunuar zyrtarët e ambasadës dhe drejtuesit shtetërorë serbë, ndërsa Shkupi i hodhi poshtë akuzat si të pabaza.

Duke folur sot pas takimit, ministri i jashtëm Daçiç u tha gazetarëve se shërbimi sekret i vendit të tij ka të dhëna për përfshirjen e faktorit të huaj në çështjen e spiunimit, por pa përmendur emër dhe shtoi se "marrëdhëniet midis dy vendeve nuk duhet të jenë dëm kolateral i interesave globale”, siç u shpreh ai.

Zoti Daçiç, ndërkaq, tha se nuk është biseduar për qëndrimin e Maqedonisë mbi anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Ndërkaq, ministri maqedonas Dimitrov u shpreh se "jemi në rrugë të mirë që me bisedime konstruktive të përmirëspjmë marrëdhëniet".

Personeli i ambasadës serbe u rikthye ndërkohë në Shkup, ndërsa ambasadorja pritet të kthehet në fund të muajit.

XS
SM
MD
LG