Lidhje

Parakalim i forcave serbe me rastin e ditës së fitores


Serbia mbajti të premten një parakalim të rreth 4 mijë trupave, me 300 makina ushtarake dhe 40 fluturake, përfshirë dy helikopterë të pilotuar nga ekuipazhe ruse.

Parakalimi u mbajt në qytetin e Nishit në Serbinë jugore për të shënuar përvjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Agjencia e lajmeve Associated Press shkruan se parakalimi ishte demonstrim i forcës mes tensioneve të shtuara me Kosovën.

“Serbia dhe Kosova po akuzojnë njëra tjetrën për dëmtim të përpjekjeve për pajtim pas luftës së viteve 1998-1999, e cila përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s”.

"Serbia është vend i lirë dhe nuk do të lejojë askënd që të kërcënojë lirinë e saj”, tha presidenti serb Aleksandër Vuçiç, gjatë parakalimit.

Presidenti Vuçiç, një nacionalist i njohur gjatë luftërave ballkanike të viteve 90, i cili pohon se synon lidhje më të ngushta me Perëndimin, ruan lidhje të ngushta me Rusinë, aleaten e vjetër të Serbisë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.

Parakalimi i së premtes shënoi ditën e dytë të manifestimeve në Serbi për Ditën e Fitores. Të enjten një manifestim në Nish u drejtua nga gjenerali në pension Vladimir Lazareviç, ish komandant i ushtrisë serbe në Kosovë i cili që dënuar me 14 vjet heqje lirie në Gjykatën e Hagës për krime kundër njerëzimit, shkelje të zakoneve dhe ligjeve të luftës dhe veprime të tjera jonjerëzore me qëllim të dëbimit të shqiptarëve të Kosovës.

Paraqitja e tij nxiti reagime përfshirë edhe ambasadorin amerikan në Beograd Kyle Scott, i cili shkroi se është “turp që krimineli i dënuar i luftës, ecën në krye të atyre që duan t’u shprehin nderime aleatëve që vdiqën duke luftuar për drejtësinë dhe paqen në Evropë”.

Në Kosovë, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, tha se “Vuçiç po luan një lojë të rrezikshme. Ai mblodhi kriminelë të dënuar të luftës në Nish, në parakalim ushtarake me armë ruse pranë kufirit tonë. Ky nuk është vetëm një kërcënim kundër Kosovës, por kundër të gjithë fqinjëve. Dëshmi të qarta se Serbia nuk është një komb dashamirës ndaj paqes, por një luftënxitëse”.

Njëzet vjet pas luftës Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve, por tensionet ndërmjet palëve janë shumë te larta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG