Lidhje

Lavrov, Kremlini i gatshëm të mbështesë mundësitë mbrojtëse të Serbisë


Sergey Lavrov
Sergey Lavrov

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, tha se Kremlini është i gatshëm të mbështesë mundësitë mbrojtëse të Serbisë. Ministri Lavrov po qëndron për një vizitë dyditëshe në Serbi në kuadër të së cilës do të marrë pjesë në takimin e Organizatës për bashkëpunim të Detit të Zi, që kryesohet nga Serbia, Anëtare e kësaj organizate është edhe Shqipëria.

Komentet e tij për mbështetjen e mundësive mbrojtëse të Serbisë u bënë në një periudhë të shtimit të tensioneve ndërmjet saj dhe Kroacisë dy ish republika jugosllave që ishin në luftë gjatë viteve të 90-ta.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç tha se kryeministri serb Aleksandër Vuçiç do të vizitojë më vonë gjatë këtij muaji Rusinë për të diskutuar një dhuratë ruse prej 4 avionësh MiG 29 dhe pajisjeve tjera të papërcaktuara ushtarake.

Mediet raportuan se avionët janë nxjerrë nga përdorimi forcat ajrore ruse dhe kanë nevojë për riparime të mëdha.

Ministri rus konfirmoi vizitën por refuzoi të shpalosë më shumë hollësi për marrëveshjen e mundshme.

Ministri serb tha se Serbia duhet të forcojë ushtrinë e saj duke pasur parasysh se NATO-ja po armatosë Kroacinë fqinje.

Ministri rus Lavrov takoi të hënën edhe udhëheqës tjerë të lartë të Serbisë, të cilët që më parë e kishin vlerësuar vizitën si një hap me tej në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, duke vënë theksin tek mbështetja e Moskës për qasjen e Beogradit ndaj pavarësisë së Kosovës.

Ai ritheksoi të hënën kundërshtimin ndaj çdo përpjekje për të ndryshuar Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.

Serbia një aleate tradicionale e Rusisë synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe perëndimit dhe ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Rusia kundërshton fuqishëm anëtarësimin e mundshëm të Serbisë në NATO ndërsa është thellësisht e pakënaqur që Mali i Zi tashmë ka marrë ftesën për anëtarësim në aleancë.

“Pa Rusinë është e pamundur të mbrojmë tërësinë tonë tokësore dhe sovranitetin, Kur flasim për marrëdhëniet me Rusinë, flasim edhe për të ardhmen tonë. Serbia kurrë nuk do të jetë shtete anti-ruse siç janë bërë disa vende. Ne nuk do t'u bashkohemi sanksioneve dhe masave kufizuese. Nuk kemi qëllim të bëhemi anëtar i NATO-s", tha të hënën ministri i Jashtëm serb.

XS
SM
MD
LG