Lidhje

Serbia thotë se Surinami ka tërhequr njohjen e Kosovës - Prishtina mohon


Autoritetet në Kosovë mohuan të martën njoftimet se Surinami, një vend i vogël në Amerikën Latine, e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, u tha medieve në Beograd se Misioni i Surinamit në Selinë e Kombeve të Bashkuara e ka informuar qeverinë serbe se e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai nxori para gazetarëve një shkresë në të cilën siq thuhet, Surinami "tërheq njohjen e Kosovës dhe Metohisë", duke ju referuar me togfjalëshin që përdoret nga autoritet serbe për Kosovën.

Sipas ministri serb, qeveria e Surinamit e kishte marrë këtë vendim më 27 tetor dhe nota diplomatike i është dërguar Kosovës më 30 tetor.

Ministria e Jashtme e Kosovës, tha se nuk ka marrë asnjë dokument zyrtar lidhur me këtë çështje dhe "në këto rrethana, i referohet vetëm frymës së mirë të marrëdhënieve miqësore në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Surinamit dhe Notës Verbale të njohjes zyrtare nga ky shtet, të datës 8 Korrik 2016, nëpërmjet së cilës Qeveria e Surinamit e kishte njohur Republikën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran".

Më tej në njoftim theksohet se kjo ministri "është e vetëdijshme për interesimin e jashtëzakonshëm, përpjekjet e fuqishme dhe qëllimet malinje që ka shteti fqinj, Serbia përkitazi me minimin e legjitimitetit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës".

Megjithëkëtë, thuhet në komunikatë, ministria e Jashtme "flet me gjuhën e fakteve dhe gjendjen e realitetit. Gjuha e fakteve dhe gjendja e realitetit është se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me legjitimitetin e vulosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ku ishte dërguar nga vet Serbia, është njohur nga 114 shtete nga çdo kontinent, ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 Misione Diplomatike dhe Poste Konsullore dhe ka të akredituar Ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete gjithandej nëpër botë".

Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008 e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Serbia e cila megjithatë është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian.

Ajo mbështetet nga aleatja e saj Rusia, e cila tash e tri ditë ishte mikpritëse e ministres së jashtme të Surinamit Yldiz Pollack-Beighle më të cilën shefi i diplomacisë ruse Sergey Lavrov ka diskutuar për bashkëpunimin ekonomik e ushtarak.

Askush në Misionin e Surinamit në Kombet e Bashkuara nuk është përgjigjur ne përpjekjet e Zërit të Amerikës për t'i kontaktuar.

Surinami, një ish koloni holandeze, me mbi 550 mijë banorë i kishte dërguar Kosovës një notë për njohjen e saj më 8 qershor të vitit 2016, ndërsa i kishte njohur pasaportat e Kosovës në vitin 2012.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG