Lidhje

Tubim mbështetës për presidentin serb në Beograd


Dhjetëra mijëra veta morën pjesë në një tubim mbështetës për presidentin serb Aleksandër Vuçiç, të premten, një kundërpërgjigje ndaj protestave antiqeveritare disamuajshe në Serbi.

Mbështetësit e tij u dërguan në Beograd me autobusë nga gjithë Serbia, por edhe nga Bosnja dhe Kosova.

Media shtetërore tha se ishin rreth 150 mijë veta që morën pjesë në tubim. Në fjalimin e tij, presidenti serb Vuçiç, u përmbajt nga sulmet e zakonshme ndaj opozitës, duke ngulur këmbë që mospajtimet politike duhet të zgjidhen përmes zgjedhjeve. Askush tha ai, “nuk duhet të mendoj të marrë pushtetin me dhunë”, ndonëse protestat e opozitës ishin kryesisht paqësore.

Aleksandër Vuçiç, angazhohet për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, por ka mbetur pro rus që nga e kaluara e tij ultra nacionaliste kur kishte shërbyer madje edhe si ministër për Informim në kohën e sundimit të ish presidentit serb Slobodan Milosheviç, i cili vdiq më 2006 në Hagë derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën.

Ai tha se Serbia do të qëndrojë neutrale ushtarakisht dhe nuk do t’i vërë sanksione Rusisë për shkak të Ukrainës.

Ai u tha mbështetësve të tij në Beograd se nuk do të ketë bisedime me Prishtinën pa u hequr tarifat ndaj mallrave serbe, të cilat qeveria e Kosovës i vendosi në nëntor të vitit të kaluar.

Por, ai do të takohet me udhëheqësit e Kosovës ne Berlin në takimin e vendeve të Ballkanit më 29 prill. Para se të shkojë në Berlin ai do të qëndrojë në Kinë nga 25 deri 27 prill për të marrë pjesë në forumin “Brezi dhe Rruga”. Aty ai pret, siç ka thënë, të këshillohet edhe me presidentin rus, Vladimir Putin.

Franca dhe Gjermania, që kanë organizuar takimin e 29 prillit, nuk kanë dhënë ndonjë hollësi rreth synimeve të takimit, paralajmërimi i të cilit ka nxitur debate rreth asaj se çfarë në fakt synon Berlini dhe çfarë peshe do të ketë ai takim për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG