Lidhje

Vuçiç: Nacionalizmi po ringjallet në Ballkan


Kryeministri i Serbisë, Aleaksandër Vuçiç, tha të premten se retorika nacionaliste në rajon mund të ringjallet. Ai i bëri këto komente një ditë pasi që Gjykata Ndërkombëtarë për krime lufte ne hapësirat e ish Jugosllavisë, liroi nga të gjitha akuzat, udhëheqësin e radikalëve serbë, Vojisllav Sheshel.

Vuçiç, dikur bashkëpunëtor i ngushtë i Vojisllav Sheshelit, nga i cili u nda në vitin 2008, tha se politikat e Sheshelit mund të dëmtojnë Serbinë dhe përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pas një gjykimi maratonik, Gjykata e Hagës liroi të enjten 61 vjeçarin Vojisllav Sheshel, kryetar i Partisë ultranacionaliste Radikale Serbe, duke e shpallur të pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për nxitje të urrejtjes etnike në luftërat që përfshinë ish Jugosllavinë gjatë viteve të 90-ta, duke lënë pas vetes mbi 130 mijë të vrarë.

Lirimi i tij shkaktoi tronditje në mesin e viktimave në njërën anë dhe kremtime të mbështetësve të tij të cilët festuan edhe në qytetin lindor boshnjak të Srebrenicës, skenë e gjenocidit të kryer nga forcat serbe në vitin 1995.

"Politikat e tilla e kthejnë Serbinë prapa në jostabilitet, mundime dhe vështirësi ekonomike. Politikat e tilla do të na izolonin na të gjitha në Ballkan dhe në Evropë", tha të enjten kryeministri serb në një konferencë me gazetarë.

"Forcat nacionaliste janë duke u ringjallur kudo. Unë do ta luftoj këtë me të gjitha mjetet demokratike", tha ai, duke nënvizuar se e ka ndërgjegjen e pastër për të kaluarën e tij.

Ai tha se Gjykata e Hagës "ka dështuar të përmbushë rolin e tij themelor", për ripajtimin e kombeve në Ballkan. Madje "ka ngulur gozhdë në arkivolin e Ballkanit të përgjumur".

Ai tha se koha e shpalljes së vendimit për Sheshelin dhe dënimi i një jave më parë i udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç me 40 vjet heqje lirie për gjenocid dhe krime lufte, po u shkon përdore ekstremistëve meqë ka përkuar me fushatën para zgjedhjeve të 24 prillit në Serbi.

Partia Përparimtare serbe e Vuçiçit, ka 135 deputetë në parlamentin 250 vendesh të Serbisë dhe qeverisë bashkë me Partinë Socialiste te Serbisë, që dikur drejtohej nga ish presidenti serb Sllobodan Millosheviq, i cili vdiq në Hagë në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.

Shiko komentet (2)

Ky forum është mbyllur
XS
SM
MD
LG