Lidhje

Sobyanin fiton zgjedhjet bashkiake në Moskë


Udhëheqësi i opozitës në Rusi, Alexei Navalny u bëri thirrje përkrahësve të protestojnë për rezultatin e zgjedhjeve për bashkinë e Moskës, ku fitues doli aleati i Kremlinit, Sergei Sobyanin.

Aktivisti kundër korrupsionit, Navalny, e denoncoi rezultatin e zgjedhjeve të djeshme, duke thënë se procesi i numërimit të votave pati shkelje serioze. Sipas rezultateve të publikuara sot nga Moska, zgjedhjet për bashkinë e kryeqytetit rus i ka fituar Sobyanin, duke siguruar 51 për qind të votave dhe rivali i tij, Navalny ka siguruar 27 për qind të votave.

Në zgjedhje morën pjesë edhe 4 kandidatë të tjerë, të cilët kanë mundur të sigurojnë shumë pak vota. Alexei Navalny tha sot se dukej qartë që kishte patur falsifikim të rezultatit dhe se rivali i tij e kishte siguruar shumicën përmes mashtrimeve. Zoti Navalny kërkoi rinumërim, duke paralajmëruar se mund t’u bënte thirrje banorëve të Moskës për të kryer akte të mos-bindjes civile, në se kërkesat e tij ligjore nuk do të merreshin parasysh.

Kandidati i mbështetur nga Kremlini, Sergei Sobyanin, pritej gjerësisht t’i fitonte zgjedhjet. Ai ka shërbyer në të kaluarën si shef kabineti i Presidentit Putin.
XS
SM
MD
LG