Lidhje

Seri pullash me Ikonat e Muzikës


Shërbimi postar amerikan njoftoi në fillim të vitit planet për një seri të re pullash të quajtur Ikonat e Muzikës. Korespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Cole tregon më shumë rreth këtij koleksioni, i cili drejton vëmendjen tek tre muzikantë Amerikanë.

Pjesa e parë e Ikonave të Muzikës nderon Lydia Mendozën, një pioniere e muzikës Tejano, stil i cili e ka origjinën në zonën kufitare mes Teksasit dhe Meksikës.

please wait

No media source currently available

0:00 0:05:05 0:00
Direct link

Lydia Mendoza ishte 18 vjeç kur ajo hyri në një studio muzikore në San Antonio të Teksasit, dhe regjistroi këngën “Mal Hombre,” që përkthehet “burrë i keq,” në vitin 1934. E njohur si “lauresha e kufirit,” ajo vazhdoi të mbante shfaqje deri kur ishte në të shtatëdhjetat, dhe regjistroi më shumë se një mijë këngë. “Mal Hombre” ishte kënga e saj më e famshme, që u rrit në popullaritet përsëri disa vite më parë pasi u përdor për kolonën zanore të filmit “Crazy Heart” të aktorit Jeff Bridges.

Për pullën e saj u përdor një foto e vjetër në të cilën Mendoza po buzëqeshte duke mbajtur kitaren e saj me 12 tela. Imazhi i flamurit të Teksasit është vënë përmbi të, dhe pulla duket si një kopertinë disku i hershëm.

Aktori Jesse Borrego, nga San Antonio, ishte mjeshtri i ceremonisë ku u përurua pulla e Lydia Mendozës. Ai thotë që pulla e re ndihmon në përforcimin e trashëgimisë kulturore që latinët kanë patur në Shtetet e Bashkuara.

“Kjo tregon atë çka ne përfaqësojmë për sa i përket të qenurit amerikanë dhe nga bota e parë. Prandaj, mendoj që përkujtimi i dikujt si Lydia Mendoza, dhe fakti që ajo është e para që përkujtohet në një seri muzikore e cila përfshin Johnny Cash dhe Ray Charles është shumë e rëndësishme për ne sepse tregon me të vërtetë që ne jemi Amerikanë të vërtetë. Dhe se sa të rëndësishëm jemi. Sidomos kur bëhet fjala për diçka aq të rëndësishme siç është pulla postare, e cila mbetet përgjithmonë.”

Johnny Cash, ylli i muzikës country i cili njihej gjithashtu si “burri në të zeza,” paraqitet në pullën e dytë të serisë Ikonat e Muzikës. Ajo pullë bazohet në një fotografi promovuese nga koleksioni i tij i vitit 1963, me këngët më të mira, i titulluar “Ring of Fire: The Best of Johnny Cash.”

Pulla e Johnny Cash u përurua gjatë këtij muaji, një kohë që përkon me hapjen e një muzeu të ri për atë, në Nashville të shtetit Tenessee. Për të festuar përurimin e pullës, shumë yje të muzikës country dhanë shfaqje në auditoriumin Ryman, ndërsa i biri i këngëtarit, John Carter Cash, shpjegon:

“Me pak fjalë, ky auditorium njihet si zemra e muzikës country. Këtu është vendi ku ndodhej Grand Ol’ Opry – skena e famshme e koncerteve kantri në Nashville. Patëm një ceremoni përurimi dhe një shfaqje muzikore shumë të bukur, e cila përfshiu muzikantë të njohur si The Oak Ridge Boys, Jamey Johnson, Marty Stuart, Randy Travis, Larry Gatlin; motra ime Carlene Carter ishte aty, dhe disa interpretues të tjerë dhe miq të dashur.”

Kathy Cash, një nga vajzat e Johnny Cash nga martesa e tij e parë, foli gjatë ceremonisë. Ajo i tregoi turmës që kur prinderit e saj po njiheshin, babai i saj ishte në forcat ajrore, i bazuar në Gjermani. Ajo llogariti që gjatë asaj kohe, prindërit e saj shkëmbyen më shumë se dhjetë mijë letra. John Carter Cash thotë që tradita e të shkruarit letra vazhdoi për babanë e tij. Edhe pse i biri më shpesh përdor postën elektronike, kur të blejë pulla, ai do të blejë vetëm pulla Johnny Cash.

“Jo, nuk do ta bëj kurrë. Kam blerë aq shumë nga pullat që përmbajnë imazhin e babait saqë ka shumë mundësi që faturat për 30 vitet e ardhshme do t’i dërgoj me këto.”

Kjo nuk është hera e parë që shërbimi postar amerikan ka stampuar pulla për muzikën. Seria “Legjendat e Muzikës Amerikane” filloi në vitin 1993 me një pullë të Elvis Presley-t, pastaj nderoi kompozitorë filmash dhe të teatrit Broadway, artistët e muzikës xhaz dhe bluz, grupe të mëdha, këngëtarë të operas, e të tjerë me radhë. Ka patur edhe pulla që nderonin legjendat e muzikës latine, këngëtarët e muzikës ungjillore, dhe të muzikës popullore. Pulla e radhës që do të jetë pjesë e “Ikonave të Muzikës” është ajo e Ray Charles, që do të dalë në qarkullim në shtator të këtij viti.
XS
SM
MD
LG