Lidhje

SHBA: Sesion i Senatit për buxhetin dhe borxhin


Senati amerikan mban sot një sesion të veçantë vetëm disa ditë para skadimit të afatit për rritjen e tavanit të borxhit dhe pas rreth dy javësh të mbylljes së pjeshshme të qeverisë.

Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Harry Reid tha se pati bisedime positive dje me udhëheqësin republikan Mitch McConnell, por se të dyja palët kanë ende një rrugë të gjatë për të përshkuar.

Zoti Reid kritikoi republikanët në Senat, të cilët e hodhën poshtë një plan të demokratëve që do ta kishte rritur tavanin e borxhit deri vitin e ardhshëm. Republikanët thanë se duan që çdo shtyrje e afatit për tavanin e borxhit duhet të përfshijë shkurtimin e shpezimeve.

Me afrimin e 17 tetorit, afatit për ngritjen e nivelit të huasë së Shteteve të Bashkura, ligjvënësit ende nuk kanë arritur marrëveshje për t’i dhënë fund mbylljes së pjesëshme të qeverisë federale.

Komisioni i politikave të Fondit Monetar Ndërkombëtar u bëri thirrje udhëheqësve amerikanë “të marrin masa urgjente në përgjigje të pasigurisë fiskale afat-shkurtër”, duke u bërë kështu jehonë thirrjeve të udhëheqësve të G-20s një ditë më parë.

"Investimet private varen nga besimi dhe nëse ju nuk dilni me një zgjidhje të qartë për dificitin buxhetor të Shteteve të Bashkuara dhe për çështjen e borxhit, do të jetë e vështirë të shikojmë se si do të kthehet besimi. Prandaj kjo është një çështje kritike për të gjithë ne”.

Edhe Drejtori i Bankës Botërore Jim Yong Kim u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë të parandalojnë krizën, ose në të kundërt, do të kishte pasoja shkatërrimtare për botën në zhvillim dhe do të dëmtonte së tepërmi edhe vendet e zhvilluara.

Presidenti Barak Obama ka paralajmëruar se ekonomia mund të goditet nëse Uashingtoni dështon në pagimin e borxheve për herë të parë në histori.

Republikanët dhe demokratët nuk bënë ndonjë përparim në mbledhjen e djeshme për arritjen e marrëveshjes.

Ndërkaq, tre nga parqet më të famshme kombëtare, Statuja e Lirisë në Nju York, Kanioni i Madh në tri shtetet të jugut amerikan dhe Mali Rashmorë, njoftuan se do të hapen për publikun.

Njoftimi u bë pasi guvernatorët e këtyre shteteve ranë dakord të japin fondet e nevojshme për hapjen e paqeve.
XS
SM
MD
LG