Lidhje

Shanaj: publiku, gjykatësi më i mirë për vlerat e filmave


Të martën, si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Producentëve të Filmave, në një nga sallat e Kompanisë Kaufman Astoria në Nju Jork, u shfaq për publikun filmi dokumentar “Madona e filmit shqiptar”, i regjisorit dhe aktorit të njohur shqiptar Mevlan Shanaj, me skenariste poeten Natasha Lako. Zoti Shanaj ishte i ftuar për një bisedë në studion e Nju Jorkut të Zërit të Amerikës.

Intervistë me regjisorin dhe aktorin, Mevlan Shanaj
please wait

No media source currently available

0:00 0:09:49 0:00

Mevlan Shanaj tha se, së bashku me bashkëshorten e tij, skenaristen e dokumentarit, Natasha Lakon i kishte lindur ideja për të realizuar një dokumentar dedikuar regjisores së njohur të filmave për fëmijë Xhanfize Keko, jo thjesht nisur nga fakti që ajo ka qenë një ish-kolege e tyre, por për ta njohur publikun me një kineaste të talentuar bashkëkohore, e denjë për t’u prezantuar në të gjithë botën.

Zoti Shanaj tha se të jesh regjisor nuk është diçka e lehtë, jo vetëm në Shqipëri. “Në të gjithë botën, të jesh në krye të një stafi për të krijuar filma, është e vështirë. Për një grua kjo bëhet jashtëzakonisht e vështirë. Xhanfizeja, tha Shanaj, kishte një intuitë nga praktika e saj, duke punuar për vite të tëra në montazh, e ardhur në Kinostudio që në fillimet e saj, në vitet ’50; duke qenë një grua me intelekt tepër të spikatur në ekran, ajo filloi të merret me njerëzit më të sinqertë, më të pafajshmit, që janë fëmijët...Ajo krijoi një harmoni të brendshme mes shpirtit të saj kërkues, hulumtues dhe naivitetit të fëmijëve. Në Shqipërinë tonë të atyre viteve ajo e bëri këtë gjë në mënyrë të përsosur, asnjëherë e implikuar në ideologji, në filozofinë e politikës, por duke dhënë thellësisht marrëdhëniet e familjes, problemet sociale. Ndaj filmat e saj, si “Kur po xhirohej një film, “Beni ecën vetë”, “Taulanti kërkon një motër, apo “Tomka dhe shokët e tij”, kanë hyrë tashmë në koshiencën e të gjithë shqiptarëve,”- tha regjisori Mevlan Shanaj.

I pyetur për një çështje të shumëdebatuar në Shqipëri, siç janë marrëdhëniet e kinamatografisë me ideologjinë dhe sa ka ndikuar ideologjizimi i artit në cilësinë e filmave artistikë, regjizori Mevlan Shanaj tha se: “...Vetë publiku di të bëjë selektimin, ose vetë koha është gjykatësi më i mirë, duke u distancuar nga prodhimi që ka qenë i dobët, në mbi 300 filma që u krijuan gjatë viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri”.

Ai tha se një pjesë e mirë e atyre filmave kanë hyrë në fondin e artë të prodhimit të filmit shqiptar. “Filmat që nuk e kanë këtë kualitet, i eliminon koha dhe nuk ka nevojë që të krijohen grupe që të bëjnë një rishikim; atëhere do të kalonim në një mendësi të kohës kur ishim, do të krjonim grupe për të krijuar censurë...Unë mendoj se publiku dhe koha janë ata që censurojnë, që flakin dhe që mbajnë pranë atë që e meriton të vlerësohet. Ndërsa lidhur me krijimet e karaktereve që ju cituat, (aktorë të njohur shqiptarë të periudhës së diktaturës), ata kanë hyrë dhe janë bërë pjesë shpirtërore e të gjithë njerëzve: janë mbi 2 milionë shqiptarë që i ndjekin këto filma me distancë kohe, sepse aty ata ndjejnë vetveten. Nuk është punë nostalgjie, por shqiptarët shikojnë tek filmat jetën e tyre, historinë e tyre, marrëdhëniet e tyre...”- tha Mevlan Shanaj.

Regjisori i njohur tha se arsyeja që kinematografia shqiptare sot nuk prodhon sa duhet filma, është ekonomia e dobët, mungesa e investimeve dhe kuotat vogla që caktohen në buxhetin shtetëror për artin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG