Lidhje

Uashingtoni dhe ndryshimi i balancës së pushtetit


Uashingtoni po përshtatet me zhvendosjen e pritshme të pushtetit që pason fitoren nga demokratët të kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e javës së kaluar. Demokratët premtojnë të vënë përpara përgjegjësisë Presidentin Donald Trump dhe të mbrojnë hetimin që po kryhet rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje. Ata theksojnë gjithashtu nevojën për të ofruar rezultate konkrete që adresojnë shqetësimet e përditshme të popullit amerikan.

Duke filluar nga janari, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve do të kenë kompetenca të gjera për të hetuar administratën Trump. Por demokratët që pritet të udhëheqin komisionet kyçe, premtojnë përdorim të matur të kësaj fuqie.

"Nuk do të bëj kërkesa për paraqitje të detyruar përpara Kongresit si të ishin karamele. Kemi shumë për të bërë, ndaj jam tejet i fokusuar në ato çështje që madje edhe Presidenti Trump thotë se dëshiron t’u japë zgjidhje, të tilla si çmimet e ilaçeve me recetë. "- thotë ligjvënësi demokrat Elijah Cumming i Komisionit të Mbikqyrjes.

Pavarësisht kësaj, pritet që Kongresi të ushtrojë një shqyrtim më të madh ndaj administratës Trump.

"Do ta vendosim presidentin përpara përgjegjësisë. Ai duhet të mësojë se ka përgjegjësi, se nuk qëndron mbi ligjin"- thotë ligjvënësi demokrat Jerrold Nadler i komisionit Juridik.

Presidenti Trump thotë se nuk është i shqetësuar rreth asaj se çfarë do të bëjnë demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve.

"Ata do të na mbikqyrin, ne do të bëjmë të njëjtën gjë. Ky është një qëndrim agresiv i tyre".

Demokratët e kritikojnë zotin Trump lidhur me personin që zgjodhi për të udhëhequr Departamentin e Drejtësisë pas shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions javën e kaluar. Prokurori i Përgjithshëm në detyrë Matt Whitaker e ka kritikuar në mënyrë të përsëritur hetimin që po kryen Prokurori i Posaçëm Robert Mueller lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjeve si dhe rreth një bashkëpuni të mundshëm të fshehtë mes njerëzve të rrethit të ngushtë të zotit Trump me Moskën.

"Emërimi i tij është thjesht pjesë e një sulmi ndaj hetimit që po kryen Prokurori i Posaçëm. Është pjesë e një modeli ndërhyrjeje nga ana e presidentit"- thotë ligjvënësi Jerrold Nadler.

Demokratët e Senatit dhe disa republikanë e kanë ripërtërirë një iniciativë legjislative për ta bërë më të vështirë për Shtëpinë e Bardhë të shkarkojë zotin Mueller duke këmbëngulur që hetimi të përfundojë.

"Tani më shumë se kurrë, një demokraci funksionale kërkon që demokratët dhe republikanët të bashkohen, të marrin masa për të mbrojtur Prokurorin e Posaçëm Mueller. Nëse nuk e bëjmë dhe Donald Trump-it i jepet mundësia për ta mbyllur hetimin lidhur me shkelje të mundshme nga ana e tij, atëherë kombi ynë do të shdërrohet në një vend të paqëndueshëm"- thotë senatori demokrat Chris Murphy.

Republikani më i lartë i Senatit thotë se presidenti Trump nuk përbën kërcënim për punën e zotit Mueller.

"Nuk ka pasur asnjë tregues se ai dëshiron ta shkarkojë zotin Mueller ose të ndalë hetimin"- thotë senatori Mitch Mcconnell udhëheqësi i shumicës republikane.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë e mohon me forcë të ketë patur bashkëpunim të fshehtë me Rusinë apo pengim të drejtësisë.

"Kemi qenë shumë bashkëpunues me hetimin e zotit Mueller, janë hartuar 1.4 milionë copa letre, 33 persona janë intervistuar ose kanë kërkuar të japin informacion"- thotë Kellyanne Conway këshilltare e Presidentit Trump.

Aktivistët progresistë këmbëngulin për nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit Trump. Por demokratët kryesorë të Dhomës së Përfaqësuesve thonë se një diskutim i tillë do të ishte i parakohshëm dhe se çdo hap për ta ndëshkuar presidentin, duhet të peshohet me kujdes dhe të mbështetet në prova konkrete.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG