Lidhje

Tregu amerikan i punës


Tregu amerikan i punës vazhdon të jetë i qëndrueshëm duke shtuar 155 mijë vende pune në muajin e kaluar. Por shifër e vendeve të reja të punës në dhjetor nuk ishte e mjaftueshme për të ulur nivelin kombëtar të papunësisë. Analistët thonë se kjo tregon se punëdhënësit nuk u dekurajuan nga grindjet politike në Uashington mbi “greminën fiskale”. Amerikën e pret një betejë e madhe mbi çështjen e buxhetit.

Niveli i punësimit në sektorin privat të Shtetetve të Bashkuara u rrit muajin e kaluar.
Kompanitë e ndërtimit punësuan 30 mijë punëtorë, sektori i prodhimit industrial 25 mijë dhe shërbimet profesionale të menaxhementit kanë hapur 19 mijë vende pune.

Ekonomisti Phil Swagel i institutit American Enterprise thotë se të dhënat e qeverisë konfirmojnë një trajektore të qëndrueshme të tregut të punës që nuk është aq pozitive për ekonominë amerikane.

“Pra, ne jemi duke krijuar vende pune por rimëkëmbja nuk është dinamike. Është një rimëkëmbje ekonomike e moderuar e cila nuk i bën amerikanët të ndjehen se po u rriten të ardhurat dhe gjetja e një vendi pune është më e lehtë”.

Pavarësisht nga rritja e punësimit, shkalla e papunësisë mbeti e pandryshuar në shifrat 7.8 për qind, e mjaftueshme për të patur ndikim pozitiv në tregun amerikan të aksioneve.

Megjithatë, zoti Swagel thotë se rimëkëmbja e tregut të punës mund të ishte më e fuqishme nëse në Uashington nuk do të kishte një luftë të ashpër politike deri në momentet e fundit mbi rritjen e taksave dhe shkurtimet e shpenzimeve automatike.

“Nëse nuk do të kishte pasiguri ekonomike të shkaktuar nga grindjet partiake mbi politikat ekonomike në Uashington, mund të krijoheshin 200 ose 250 mijë vende pune në muaj”.

Grindjet politike nuk kanë mbaruar. Beteja e ardhshme ka të ngjarë të përqëndrohet në borxhin 16 trilionë dollarësh të vendit. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner ka dhënë sinjale për një ballafaqim të fortë ndërkohë që kongresi përgatitet për debatin mbi ngritjen e tavanit të borxhit.

“Qeveria jonë ka akumuluar një borxh të madh. Ekonomia jonë nuk po krijon një numër të mjaftueshëm të vendeve të punës. Këto nuk janë probleme të ndara”.

Republikanët këmbëngulin se çdo rritje e tavanit të borxhit duhet të shoqërohet me shkurtime të shpenzimeve.

Por presidenti Obama thotë se rritja e tavanit të borxhit për të paguar për shpenzimet që tashmë i ka miratuar kongresi, duhet realizuar pa asnjë diskutim.
Negociatat mbi tavanin e borxhit që u zhvilluan në vitin 2011 ishin të ashpëra dhe rezultuan në uljen e vlerësimit të kreditit të borxhit të Shteteve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG