Lidhje

Wess Mitchell: Evropa, skenë e konkurrencës strategjike


Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Wess Mitchell tha se Evropa është bërë përsëri skenë e konkurrencës serioze strategjike. Në një seancë dëgjimore në Senat, diplomati amerikan tha se Evropa po përballet me presione në shumë fronte si fushatat strategjike nga ana e Rusisë dhe Kinës, vala rekord e imigracionit, ambicjet e Iranit në Mesdhe dhe një krizë besimi në institucionet evropiane.

Rusia dhe Kina janë veçanërisht agresive në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe përparësia jonë është të frenojmë agresionin rus, tha ndihmës sekretari Mitchell.

“Ne kërkojmë një marrëdhënie më të mirë me Rusinë. Por kjo mund të ndodhë vetëm kur Rusia të ndalë sjelljen e saj agresive,” tha zoti Mitchell.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara po rrisin angazhimin e tyre në Ballkanin Perëndimor.

Ai tha se e sheh zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë të një përmase si marrëveshja e Dejtonit që i dha fund konfliktit të viteve 90 në Ballkan. Ai tha se efektet e suksesit të marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë do të shërbejnë si një mundësi e mirë për të vazhduar zgjidhjen e problemeve të tjera në Ballkan, si dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe gjendja në Bosnje-Hercegovinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG