Lidhje

SHBA: Gjendja e afrikano-amerikanëve dhe pakicave të tjera


Një organizatë me peshë e të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara po u bën thirrje afrikano-amerikanëve që të votojnë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, si një mënyrë për t’iu kundërvënë ligjeve shtetrore, për të cilat ky grup thotë se kërcënojnë përparimin e bërë nga zezakët dhe pakicat e tjera gjatë viteve.

"Në kohën tonë ne nuk do të lejojmë që të përjashtohemi nga tryeza e marrjes së vendimeve kur bëhet fjalë për shkollat dhe arsimin, vendet e punës dhe politikat ekonomike në këtë vend".

Presidenti i Lidhjes Kombëtare Urbane, Marc Morial, duke njoftuar raportin vjetor të organizatës "Gjendja e Zezakëve të Amerikës", u bashkua me grupe të tjera të të drejtave civile për të kërkuar ligje të reja votimi në 34 shtete amerikane.

"Ne besojmë se këto ligje do të ndikojnë në pjesëmarrjen e rreth 5 milion votuesve në gjithë vendin".

Disa shtete amerikane po zbatojnë tashmë ligje të reja, për të cilët, mbështetësit e tyre thonë se do të pakësojnë manipulimet dhe gabime të tjera në votime.

Disa shtete kanë kufizuar listën e formave të pranueshme të identifikimit në qendrat e votimit.

Disa të tjera kanë kufizuar mënyrat e regjistrimit. Zoti Morial thotë se rregullat e reja janë si një sulm kombëtar kundër të drejtave të votimit dhe do të shkurajojnë pjesëmarrjen në politikë të pakicave, studentëve dhe të moshuarve.

"Ne duhet të kundërshtojmë me forcë përpjekjet për miratimin e ligjeve që do të shtypnin pjesëmarrjen në votime në këtë vend. Këto përpjekje nuk përputhen me me vlerat dhe demokracinë amerikane. Këto përpjekje janë baraz me bllokimin e rrugës në kutitë e votimit në shekullin e 21".

Lidhja Kombëtare Urbane ka ndërmarrë disa fushata për të shtuar pjesëmarrjen në votime të zezakëve të Amerikës në zgjedhjet e nëntorit, mes tyre një qendër votimi online me informacion rreth kërkesave për të votuar. Lidhja shpreson gjithashtu të zhvillojë fushata për të motivuar pjesëmarrjen në zgjedhje. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008, të fituara nga Barack Obama, më shumë se 65 për qind e afrikano-amerikanëve me të drejtë vote morën pjesë në zgjedhje, një përqindje kjo e barabartë me eletoratin e bardhë me të drejtë vote.

Raporti i Lidhjes Kombëtare Urbane kritikon gjithashtu shkurtimet e propozuara federale dhe shtetrore në investimet e arsimit, që sipas saj, do të rëndojnë mbi studentët e pakicave. Lidhja ka bërë thirrje për shtimin e mundësive të arsimit për afrikano-amerikanët e rinj dhe përgatitjen e tyre për studimet e larta.

Raequan Jones ishte i pastrehë dhe gati sa nuk hoqi dorë nga arsimi, por falë një programi që ndihmon nxënësit e shkolave të mesme, ai përmirësoi notat dhe mori ndihmë financiare për t’u regjistruar në një universitet.

"Unë do të përpiqem të frymëzoj të tjerët, të bëhem model për të tjerët, duke u siguruar se përfundoj deri në fund studimet dhe jo vetëm që përmbush objektivat, që i kam vënë vetes, por shkoj matanë tyre".

Lidhja Kombëtare Urbane mbështet gjithashtu ligje për trajnim në gjetjen e vendit të punës me synimin për të ulur shkallën e papunësisë në komunitetet pakicë. Lidhja thotë se do t’i kërkojë qeverisë që të krijojë programe të tjera për trajnimin e punëtorëve më pak të kualifikuar dhe për gjetjen e punës prej të rinjve kur ekonomia të përmirësohet.

XS
SM
MD
LG