Lidhje

SHBA, gjendja e fëmijëve që mbahen në qendrat e ndalimit kufitar


1,036 emigrantë u ndaluan më 29 maj 2019, pasi kishin kaluar pikën kufitare SHBA - Meksikë , në El Paso, Texas
1,036 emigrantë u ndaluan më 29 maj 2019, pasi kishin kaluar pikën kufitare SHBA - Meksikë , në El Paso, Texas

Pas botimit në media të një raporti ku përshkruheshin kushtet sanitare të jetesës për qindra fëmijë që mbahen në qendra kufitare të paraburgimit, pas hyrjes pa autorizim në Shtetet e Bashkuara, është vendosur që ata të strehohen në objekte të tjera.

Agjensia e lajmeve Associated Press njoftoi të hënën se qeveria e Shteteve të Bashkuara po zhvendos “mbi 300 fëmijë” nga një stacion i policisë së patrullimit të kufirit, pasi agjencia pati botuar një artikull më datë 20 qershor. Në artikull nuk përmendeshin objektet.

Brenda shumë qendrave të paraburgimit, fëmijët kujdeseshin për fëmijët e tjerë; kushtet sanitare ishin nën-standardet e duhura, dhe fëmijët ishin të sëmurë, duke jetuar me tesha të ndotura dhe u jepeshin ushqime të prishura, sipas agjensisë Associated Press.

Zëri i Amerikës kërkoi komentet e dy agjencive qeveritare të përfshira në strehimin e fëmijëve që kalojnë kufirin pa autorizim, ose të pashoqëruar nga një i rritur – Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Doganat dhe Kufirin, si dhe Zyrën për Rivendosjen e Refugjatëve, brenda Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore dhe Njerëzore.

Agjencitë në fjalë nuk ishin përgjigjur, deri të hënën pasdite.

Në muajin qershor, një raport i Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm, agjensia e mbikqyrjes së brendshme të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, pati zbuluar probleme pastërtie dhe higjene gjatë një inspektimi të të katër qendrave të paraburgimit ((https://www.oig.dhs.gov/sites/default/files/assets/2019-06/OIG-19-47-Jun19.pdf)).

Gjatë një interviste televizive të dielën, Presidenti Donald Trump nuk iu referua raportit në fjalë. Ai e la përgjegjësinë, në mënyrë të gabuar, mbi paraardhësin e tij, Presidentin Barack Obama, për politikën që u njoh më vonë me emrin “ndarja e familjeve”.

Kjo megjithatë nuk ka qenë një politikë e epokës Obama. Variante të mëparshme nuk patën lejuar veprimet që çuan në ndarjen e mijëra fëmijëve nga prindërit e tyre.

Në vitin 2018, administrata Trump e shndërroi në politikë zyrtare “tolerancën zero” në ndalimin e të gjithë emigrantëve që kalojnë kufirin pa autorizim, duke sjellë për pasojë mbajtjen veçmas të të rriturve dhe të fëmijëve në objekte të ndara.

Në një intervistë tjetër të dielën, Nënpresidenti Mike Pence pranoi se kushtet në objektet e raportuara nga agjencia Associated Press ishin të papranueshme.

Rritja e numrit të familjeve të ndaluara, me fëmijë të vegjël, ose rritja e numrit të fëmijëve që udhëtojnë pa kujdestarë në moshë madhore, i ka shtrënguar autoritetet amerikane të përpiqen të plotësojnë kërkesat e qendrave në kufi.

Madje gjatë muajve të fundit, Agjensia për Doganat dhe Kufirin (CBP) hapi një tender për blerjen e mijëra shisheve për ushqimin e bebeve, si dhe për pelena.

Që nga 1 tetori 2018, fillimi i vitit të ri fiskal, deri më 31 maj, agjencia ka ndalur 332.981 familje, si dhe 56.278 fëmijë të pashoqëruar, sipas të dhënave të vetë agjencisë.

Agjencia është gjithashtu nën shqyrtim, për shkak të disa vdekjeve të fëmijëve që mbaheshin prej saj gjatë vitit të kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG