Lidhje

Baza ushtarake amerikane në Japoni


Zhvendosja e debatueshme e një baze ushtarake amerikane në ishullin japonez Okinawa mund të ketë hasur në probleme pas rizgjedhjes së kryetarit të bashkisë së qytetit që e kundërshton atë. Analistët politikë thonë se politikanët vendas dhe aktivistët mund të ndikojnë mbi planin dhe të dëmtojnë marrëdhëniet Japoni-SHBA. Korrespondenti Daniel Schearf njofton nga byroja e Zërit të Amerikës në Seul.

Kryetari i bashkisë së qytetit Nago, Susumu Inamine ((soo-soo MOO, ee-NAH-me-nay)) thotë se rizgjedhja e tij është një shenjë e qartë nga votuesit për një çështje – që i thonë jo transferimit të bazës së tanishme ushtarake nga qyteti Futenma për në qytetin e tyre Nago. Si qyteti Nago edhe Futenma janë në provincën e Okinavës.

Në fjalimin e tij të fitores, kryetari Inamine jo vetëm që kundërshtoi planin që qyteti i tij të ishte mikëpritës i bazës, por premtoi gjithashtu të mbyllë bazën e tanishme në Futenma.

Ai thotë se banorët, njerëzit e kësaj prefekture, janë kaq shumë kundër planit, saqë diskutimi duhet të fillojë nga e para për lëvizjen e bazës nga prefektura, ose nga vendi. Ai thotë se synimi në Futenma është mbyllja e menjëhershme e bazës.

Shtetet e Bashkuara dhe Japonia janë përpjekur për vite të negociojnë për gjetjen e një vendi të ri për Bazën Ajrore të Korpusit të Marinës në Futenma, në jug të Okinavës. Në qytetin me popullsi të dendur të Ginowan-it, ((gee-no-wahn)) baza ka ngjallur prej kohe shqetësime për shkak të mbingarkesës që i sjell qytetit.

Uashingtoni përshëndeti një marrëveshje të arritur në dhjetor kur guvernatori i Okinavës dha leje për një fushë ku do të vendosej një pjesë e bazës.

Marrëveshja erdhi vetën disa ditë pasi kryeministri Shinzo Abe i ofroi guvernatorit 300 milionë dollarë në vit në ndihma ekonomike për tetë vjet. Kundërshtarët e bazës e kritikuan këtë si një shpërblim ndaj guvernatorit që fillimisht kishte kundërshtuar zhvendosjen e bazës.

Shumë banorë të Okinavës kanë ngritur shqetësime rreth zhurmës si dhe krimit në rritje që zakonisht vijnë nga bazat ushtarake. Ambjentalistët shqetësohen se ndërtimi dhe aktivitetet e bazës në portin Nago mund të ndikojë rezervatin e rrezikuar të disa specieve në zonë.

Tetsuo Kotani është studiues në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Japonisë dhe thotë se fati i bazës mbetet i paqartë pas rizgjedhjes së kryetarit të bashkisë.

“Është e vështirë të thuash. Ne nuk jemi ende të sigurtë sa autoritet ka ai për të ndalur zhvendosjen e bazës. Dhe nëse ai ka autoritet, qeveria mund ta anashkalojë autoritetin e tij duke miratuar një ligj”.

Megjithatë, kundështimi i fuqishëm për bazën po e vë Uashingtonin në një pozicion të vështirë. Jeff Kingston është drejtor për Studimet Aziatike në universitetin Temple të Japonisë.

“Gjendje vërtetë e vështirë për Uashingtonin është nëse ka kuptim për të vazhduar me këtë zhvendosje duke pasur parasysh perspektivën e një rezistencë të fortë lokale dhe nëse respektimi apo jo i zërit demokratik të popullit të Nagos mund të dëmtojë interesat amerikane në Japoni”.

Kotani thotë se prezenca ushtarake amerikane në Okinava është kritike dhe mbështetet nga shumica e japonezëve.

“Veçanërisht kur rritja e Kinës përbën sfida dhe mundësi të vështira ne kemi nevojë për një prezencë të fortë amerikane në Okinavë për të dekurajuar cdo lëvizje agresive kineze”.

Në se zhvendosja e bazës në Nago dështon, ka pak opsione. Zoti Kingston thotë se në se baza vazhdon të mbetet në qytetin Ginowan do të jetë si një bombë me sahat.

“E vetmja alternative që është propozuar dhe që shumë njerëz besojnë se është e llogjikshme është integrimi i bazës ajrore të marines në bazë e madhe ushtarake amerikane në Kadena…tre senatorë amerikanë, McCain, Levin, dhe Webb, e kanë rekomanduar këtë mundësi. Por kjo nuk është pranuar nga Pentagoni”.

Ushtria amerikane ka thënë se zhvendosja në bazën ajrore të Kadenas, vetëm disa milje larg, do të shërbejë vetëm për të shtyrë zgjidhjen e problemit.
XS
SM
MD
LG