Lidhje

SHBA, kandidatët mbështeten tek të tretët për fushatë


Pak ditë para zgjedhjeve të 3 nëntorit, Presidenti Donald Trump dhe kandidati i Partisë Demokrate Joe Biden po u bëjnë thirrjet e fundit votuesve, duke dërguar në fushatë përfaqësues të profilit të lartë, si ish-Presidenti Barack Obama apo fëmijët e familjes Trump.

SHBA, kandidatët mbështeten tek të tretët për fushatë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

Ish-Presidenti Barack Obama po udhëton në shtete të ndryshme të vendit, duke bërë fushatë për ish nënpresidentin Joe Biden.

Roli i tij? Të godasë verbalisht Presidentin Donald Trump.

"Cili është argumenti i tij përfundimtar? Që njerëzit janë tepër të fiksuar me COVID-in. E tha këtë në një nga tubimet e tij, 'COVID - COVID - COVID,' ankohet ai. Ai është xheloz për mbulimin nga media të COVID-it!" tha zoti Obama.

Me ironinë e tij, zoti Obama po luan rolin e dikujt që sulmon në emër të kandidatit Biden, i cili po bën fushatë me një mesazh uniteti, duke e paraqitur veten si shëruesin e një vendi të përçarë.

“Normalisht, kjo është një strategji që i lihet kandidatit për nënpresident. Por kur ke dikë që sulmon aq mirë sa Barack Obama, dhe që duket mëse i gatshëm ta luajë atë rol, pasi është më popullor dhe më i njohur se Kamala Harris, kjo është diçka që ka kuptim”, thotë Whit Ayres, i organizatës North Star Opinion Research.

Presidenti republikan, George W. Bush, nuk ka bërë fushatë për zotin Trump.

Në një regjistrim zanor ai thotë: “Të mos harrojmë se ne kemi kaluar prova më parë. Pas 11 shtatorit, unë pashë se si ky vend madhështor u ngrit si një i vetëm për të nderuar trimat, për të mbajtur zi me ata që mbanin zi dhe për të nisur detyrat e reja të pashmangshme."

Në muajin maj, ish Presidenti Bush publikoi një videomesazh uniteti në mes të pandemisë.

Presidenti Trump u përgjigj në Twitter, duke e kritikuar ish presidentin që nuk ngriti zërin gjatë procesit për shkarkimin e tij.

Në fushatë kanë dalë tani fëmijët e rritur të presidentit, Don Jr, Eric, Tiffany dhe Ivanka Trump.

“Disa prej jush jo shumë kohë më parë ndoshta ishin demokratë, por kjo parti ka ndryshuar aq sa nuk njihet më. Platforma e tyre paraqet një plan për ta shndërruar Amerikën në një vend socialist," tha Ivanka Trump.

“Familja e tij ka fituar një famë të dukshme gjatë këtyre viteve. Dhe duket se shumë njerëzve të bazës së tij u pëlqen të shohin djemtë dhe vajzat e tij në fushatë," thotë Thomas Schwartz i Universitetit Vanderbilt.

Në fushatë janë edhe bashkëshortët e kandidatëve. Jill Biden është treguar mjaft aktive.

"Kur Joe të jetë president nuk do t’i lexoni lajmet duke tundur kokën, nuk do të jeni të tensionuar," thotë zonja Biden.

Ndërkohë, zonja e parë Melania Trump bëri paraqitjen e saj të parë në fushatë të martën, pas shërimit nga koronavirusi.

"Faleminderit për gjithë dashurinë dhe mbështetjen që na dhatë kur familja jonë u diagnostikua me COVID-19," tha zonja Trump.

Zoti Obama do të flasë bashkë me kandidatin Biden të shtunën në shtetin e rëndësishëm të Miçiganit. Presidenti Trump do të bëjë fushatë të premten në Miçigan, Uiskonsin dhe Minesota me kandidatë republikanë që garojnë për në Senat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG