Lidhje

SHBA: Kandidatët republikanë, përpjekje të fundit për mbështetje para “super të martës”


Kandidatët republikanë për president po zhvillojnë aktivitete të ngjeshura të fushatave të tyre elektorale, një ditë para së ashtuquajturës “Super e marta”, gjatë së cilës mbahen votime brenda Partisë Republikane në 10 shtete amerikane.

Gara në shtetin e Ohajos, e cila është në qendër të vëmendjes, duket mjaft e fortë midis ish Guvernatorit të Masaçusetsit Mitt Romney dhe ish senatorit Rick Santorum.

Një anketë e re e zhvilluar atje tregon se mbështetja ndaj tyre është tepër e përafërt dhe se nuk mund të parashikohet një fitues. Sondazhi i Universitetit Quinnipiac tregoi se zoti Romney kishte fituar më tepër mbështetës krahasuar me një muaj më parë, duke arritur në shifrën 34 për qind të personave që mund të votojnë, 3 për qind më tepër se zoti Santorum. Në muajin shkurt ish senatori Santorum kryesonte në Ohajo.

E ashtuquajtura “Super e marta” do të afrojë më tepër republikanët me zgjedhjen e tyre të njërit nga katër kandidatët republikanë për garën presidenciale, i cili do të ndeshet në nëntor me Presidentin Obama, kandidati i vetëm i Partisë Demokrate.

XS
SM
MD
LG