Lidhje

SHBA: Kandidati republikan Romney e përqendron vëmendjen tek zgjedhjet e nëntorit


Kandidati republikan për president, Mitt Romney po e përqëndron vemendjen te zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit, ndërsa përpiqet të bindë votuesit se ai është një alternativë më e mirë për të drejtuar vendin se sa presidenti Barak Obama. Pesë shtete po zhvillojnë sot zgjedhje paraprake republikane, por pretendenti kryesor, Romney do të jetë diku tjetër, në një takim në New Hampshire.

Ndihmësit e zotit Romney thonë se ky takim do të tregojë se ai ndodhet tani në një periudhë kalimtare dhe nuk ka nevojë të bëjë fushatë për garat zgjedhore në secilin shtet. Zoti Romney pritet të fitojë në të pesë shtetet ku sot bëhen votime.

Fushata e tij vazhdon të sulmojë politikat e presidentit me deklarata që kritikojnë punën e zotit Obama për kujdesin shëndetësor dhe energjinë, dhe duke shtruar pyetjen se çfarë ka bërë ai për rininë që nga ardhja në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë, demokrati Obama, fillon sot një udhëtim dy-ditësh për të folur mbi planet e tij për uljen e kostos së arsimit të lartë. Ai do të bëjë ndalesa në universitete të shteteve me rëndësi për zgjedhjet si Karolina e Veriut, Iowa dhe Kolorado.

Presidenti kërkon që Kongresi të zgjasë afatin e veprimit të një ligji i cili do të pengonte dyfishimin e interesave të kredive studentore.

Edhe zoti Romney e miratoi një plan të tillë dje, gjatë një ndalesë në Pensilvani, një nga shtetet ku sot bëhen zgjedhje paraprake. Të tjerat zhvillohen në shtetet New York, Connecticut, Delaware dhe Rhode Island.

Zoti Romney fitoi në New Hampshire në janar, fitorja e tij të parë në garat për emërimin republikan. Ai nuk ka arritur ende numrin e 1.144 delegatëve që nevojiten për të fituar emërimin por është shumë më përpara dy kandidatëve të tjerë, të cilët kanë pak shanse për t’ja kaluar atij.

Rivali Rick Santorum doli nga gara dy javë më parë. Largimi i tij lë ish-Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich dhe kongresmenin nga Texasi Ron Paul si rivalët e vetëm republikanë.

XS
SM
MD
LG