Lidhje

SHBA: Qeveria siriane po përpiqet për fitore ushtarake mbi opozitën


Në Siri, forcat kryengritëse të Ushtrisë së Lirë Siriane emëruan një komandant të ri, pas disa muaj humbjesh në luftimet me trupat qeveritare dhe luftëtarët islamikë.

Forcat e moderuara të mbështetura nga Perëndimi thanë se komandanti i tanishëm Salim Idris është trguar i paefektshëm dhe do të zëvendësohet nga Abdul-Ilah al-Bashir.

Në një deklaratë të bërë sot, zyra e presidentit të Koalicionit Kombëtar Sirian Ahmad Jarba e përshëndeti lëvizjen dhe theksoi vendosmërinë e grupit opozitar për të luftuar trupat qeveritare dhe militantët e lidhur me al-Kaidën.

Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se qeveria siriane po i shmanget diskutimeve për një qeveri kalimtare.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se qeveria siriane po përpiqet të arrijë një fitore ushtarake mbi opozitën dhe se Rusia po i krijon mundësi presidentit Bashar al-Assad në këto përpjekje.

"Por tani Bashar al Assadi nuk është angazhuar në diskutime sipas premtimit dhe standarteve të kërkuara për të cilat janë shprehur si Rusia edhe regjimi, pra se do të shkonin në Gjenevë dhe do të pranonin Komunikatën e Gjenevës si bazë të negociatave. Ata kanë refuzuar në çdo moment të hapin diskutimet rreth një qeverie kalimtare".

Duke folur sot në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakarta, zoti Kerry tha se strategjia e Sirisë është e dukshme. Ajo vazhdon bombardimin e civilëve dhe furnizimet ruse me armë kanë ndihmuar linjën e ndjekur nga zoti Assad për një zgjidhje ushtarake dhe jo politike të luftës civile, tha zoti Kerry.

Rusia është aleate e zotit Assad dhe së bashku me Shtetet e Bashkuara ndër aktort kryesore për t'i sjellë të dyja palët së bashku në bisedime për paqe.

Sekretari Kerry i dha fund sot turneut në gjashtë vende të Azisë, me ndalesa në Indonezi, Kinë dhe Korenë e Jugut. Ai shkoi në Abu Dhabi për të vazhduar bisedimet për luftën civile në Siri, procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe programin bërthamor të Iranit.
XS
SM
MD
LG