Shefi i Shtatmadhorisë amerikane akuzoi Kinën se nuk po e frenon aleaten e saj, Korenë e Veriut. Akuzat vijnë pas sulmit të fundit me artileri që Peniani ndërmori në gadishullin korean.
Admirali Majk Mullen tha sot në Seul se Kina ka mbi Korenë e Veriut më tepër ndikim se çdo vend tjetër por duket se Pekini nuk ka dëshirë ta shfrytëzojë ndikimin që ka.
Ai tha se miratimi i heshtur nga Kina i akteve të hapura të Penianit, ka bërë që vendet fqinje të pyesin veten se çfarë veprimesh të tjera mund të ndërmarrë tani Koreja e Veriut.
Admirali Mullen i bëri komentet në një konferencë shtypi me komandantin e forcave të armatosura të Koresë së Jugut, Han Min Ku.
Kina i ka hedhur poshtë kritikat amerikane se po i krijon kushte Koresë së Veriut të sillet në mënyrë agresive, duke thënë se akuza të tilla janë të papërgjegjshme.