Lidhje

SHBA: Komuniteti i afrikano-amerikanëve përballet me problemin e Sidës


SHBA: Komuniteti i afrikano-amerikanëve përballet me problemin e Sidës
SHBA: Komuniteti i afrikano-amerikanëve përballet me problemin e Sidës

Më shumë se një milion njerëz në Shtetet e Bashkuara jetojnë me virusin HIV i cili shkakton sëmundjen e Sidës. Qendra Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve përllogarit se afërsisht 50 mijë njerëz të tjerë infektohen me virusin HIV çdo vit, dhe afrikano-amerikanët janë 7 herë më të prirur të jenë në grupin e të infektuarëve. Çdo vit komunitetet afrikano-amerikane në Shtetet e Bashkuara organizojnë ditën e ndërgjegjësimit për sëmundjen e sidës.

Afrikano-amerikanët përbëjnë rreth 13 për qind të popullsisë amerikane dhe përbëjnë gati gjysmën e atyre që infektohen nga virusi HIV. Epidemia i godet të gjithë, si të rinjtë ashtu edhe të moshuarit në komunitetin e afrikano-amerikanëve në mbarë vendin.

“Një ndër 16 burra dhe një ndër 13 gra të komunitetit afrikano-amerikan do të infektohen me virusin HIV.”

Sharon Arline Bradley është drejtore për shëndetin në N-A A-CP, një organizatë e të drejtave civile që tradicionalisht fokusohet në barazinë racore dhe çështje ligjore. Tani kjo organizatë ka hapur një zyrë për sidën.

Shkaqet e sidës në komunitetet e zezakëve janë të njëjta si kudo, mospërdorimi i prezervativëve, partnerët e shumtë, përdorimi i të njëjtës shiringë për marrjen e drogës dhe mos kërkimi i ndihmës mjekësore pas infektimit.

Një hartë e Universitetit Emory përdor të kuqen e errët për të treguar rajonet në Shtetet e Bashkuara ku infektimi me virusin HIV është më i përhapur.

Harta tjetër tregon rajonet ku shumica e afrikano-amerikanëve janë të infektuar me virusin HIV. Studiuesit thonë se sida është më e përhapur mes të varfërve.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit, Dr John Ruffin mbikëqyr çështjet e shëndetit në mesin e pakicave.


“Ka njerëz, për shembull, që nuk kanë qasje në kujdes shëndetësor. Ata nuk kanë sigurim shëndetësor. Ata nuk kanë shumë nga ato gjëra që janë të nevojshme pas kontaktit me sëmundjen”.

Në komunitetin afrikano-amerikan, paragjykimet që lidhen me sidën i kanë rrënjët tek homofobia.

“Unë mendoj se paragjykimi më i madh për virusin HIV është ideja se virusi HIV vjen nga homoseksualizmi”.

Zyrtarët e shëndetësisë dhe aktivistët thonë se për të ulur numrin e infeksioneve, duhet të hiqet paragjykimi ndaj sëmundjes së sidës. Pas infektimit me virusin HIV, Phill Wilson ka themeluar institutin Black AIDS, një organizatë e cila përqendrohet tek parandalimini i sidës mes afrikano-amerikanëve.

“Unë jam gjallë sot, sepse iu nënshtrova analizave. Unë jam gjallë sot, sepse mora në dorë kontrollin e jetës sime. Unë jam gjallë sot, sepse unë shfrytëzova mundësitë për trajtimin e sëmundjes”.

Ajo që duhet bërë është shmangia e ndjesisë së turpit që lidhet me virusin HIV, përmes edukimit, testimit, trajtimit dhe kujdesit shëndetësor në komunitetet afrikano-amerikane. Duhet të inkurajohen njerëzit që të kufizojnë numrin e partnerëve seksualë dhe të përdorin prezervativët.

“Sot, ne kemi aftësinë për t’i dhënë fund epidemisë së sidës në Amerikë. Pyetja nuk është se a mund t’i japim fund epidemisë së sidës, por a do ta bëjmë këtë?”

Zoti Wilson thotë se duhen më shumë fonde për testimin dhe programet e parandalimit, sepse, thotë ai, kur njerëzit e kuptojnë virusin, ata janë më të aftë për të mbrojtur veten nga infektimi me virusin HIV.

XS
SM
MD
LG