Lidhje

Përpjekjet për ndryshime të kujdesit shëndetësor


Senati amerikan pritet të votojë sot mbi mundësinë e hapjes së një debati lidhur me nismën e fundit republikane për ndryshimin e sistemit të kujdesit shëndetësor të miratuar nga ish presidenti Barack Obama.

Udhëheqësi i shumicës në senat, Mitch McConnell, po drejton përpjekjet për shfuqizimin e sistemit aktual të kujdesit shëndetësor që njihet edhe si “Obamacare”, por gjatë muajve të fundit ai është detyruar të bëjë hapa pas kur u bë e qartë se nga dy variante të ndryshme që u paraqitën për ndryshimin e ligjit, nuk i kishte votat për asnjerin prej tyre.

Duke folur të hënën në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump fajësoi republikanët dhe demokratët për ngecjen e përpjekjeve lidhur me synimet e tij për kujdesin shëndetësor.

“Senati është shumë pranë votave të nevojshme për miratimin e zëvendësimit të sistemit. Problemi është se nuk ka asnjë lloj mbështetje nga demokratët. Ata janë obstruksionistë. Për këtë gjë janë të mirë, që të bëjnë që gjërat të mos funksionojnë.”

Edhe pse republikanët kanë shumicën 52 me 48 në Senat, Presidenti Trump e pranon se miratimi i propozimit nuk është i garantuar ndërsa disa republiaknë e kanë kundërshtuar hapur projekt-ligjin në fjalë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG