Lidhje

Ligjvënësit: Sanksione të reja ndaj Iranit


Ligjvënës amerikanë nga të dyja partitë politike po shprehin skepticizëm lidhur me marrëveshjen e muajit të kaluar për programin bërthamor të Iranit. Kongresi nuk ka hequr dorë nga thirrjet për sanksione të reja kundër Iranit, megjithë paralajmërimet e Administratës Obama se sanksione të reja mund të minojnë përpjekjet diplomatike.

Kreu i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, demokrati Robert Menendez, thotë se shpreson për një zgjidhje përmes negociatash të shqetësimeve ndërkombëtare lidhur me ambicjet bërthamore të Iranit.

"Shpresoj se marrëveshja mund të ketë sukses. Duam që diplomacia të funksionojë”.

Por në komentet për programin Face the Nation të rrjetit CBS, zoti Menendez tha se duhet të vazhdojë presioni ekonomik kundër Iranit dhe ky presion duhet të rritet nëse negociatat nuk çojnë në një marrëveshje përfundimtare.

"Duke analizuar alternativën e sanksioneve të reja, duhet të shohim mundësinë për sanksione që fillojnë të zbatohen gjashtë muaj pasi kanë hyrë në fuqi. Kjo do t’i jepte Presidentit dhe diplomacisë më fleksibilitet dhe do t’i dërgonte Iranit mesazhin se do të ketë pasoja nëse nuk arrihet një marrëveshje e suksesshme”.

Republikani më i lartë në Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Corker thotë se marrëveshja e përkohëshme është gabim:

"Jam shumë i shqetësuar, veçanërisht nga marrëveshja e përkohëshme. Si do të arrijmë në atë pikë ku Irani nuk vazhdon aktivitetin e pasurimit, apo nuk arrin në fazën fare pranë prodhimit të armës bërthamore”.

Zoti Corker thotë se forcimi i sanksioneve do të përmirësonte shanset për një përfundim më pozitiv në përpjekjet për të kontrolluar programin bërthamor të Iranit dhe shprehu shpresën se së shpejti do të paraqitej një projekt-ligjj për t’u hedhur në votë në Senat. Udhëheqësi i shumicës demokrate Harry Reid nuk ka premtuar, por as nuk ka përjashtuar mundësinë për një votë të tillë, duke thënë se duhet më shumë kohë për të studiuar mundësinë e sanksioneve të tjera para se të ndërmerren masa.

Departamenti i Shtetit thotë se vendosja e sanksioneve të reja ndërsa vazhdojnë negociatat, do të ishte gabim. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney ka paralajmëruar të mos ndërmerren veprime që mund të minojnë përpjekjet diplomatike, duke thënë se “Populli amerikan nuk kërkon një marshim drejt luftës”.
XS
SM
MD
LG