Lidhje

SHBA: Ligjvënësit kritikojnë Rusinë


Ligjvënësit amerikanë vazhdojnë kritikat ndaj Rusisë lidhur me vendimin e Moskës për t’i dhënë status azilanti ish-kontraktorit të qeverisë amerikane Edward Snowden.

Periudha e pas-Luftës së Ftohtë, kur Uashingtoni dhe Moska i drejtoheshin njëri-tjetrit si aleatë, është thuajse harruar. Dje, ligjvënësit amerikanë shfrytëzuan transmetimet e medias për të shprehur kritikat e tyre ndaj qeverisë ruse, veçanërisht Presidentit Vladimir Putin.

Senatori republikan John McCain bëri komente për emisinin Fox News Sunday:

"Putin është ish-kolonel i KGB-së dhe nuk ushqen iluzione për marrëdhënien tonë, nuk do t’ia dijë për lidhjet me Shtetet e Bashkuara, vazhdon të shtypë popullin e tij, të shtypë median dhe të veprojë në mënyrë autokratike dhe jo-konstruktive”.

Zoti McCain tha se episodi i Snowdenit sinjalizon marrëdhënie tepër të këqija mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Tensionet mes Uashingtonit dhe Moskës shtrihen përtej çështjes Snowden, sipas Kryetarit të Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, demokratit Robert Menendez.

"Zyrtarët ruse nuk u përgjigjen shqetësimeve tona lidhur me tragjeditë që po shpalosen në Siri. Ata nuk u përgjigjen shqetësimeve tona për të reduktuar armët bërthamore. Ata nuk u përgjigjen shqetësimeve tona lidhur me të drejtat e komunitetit homoseksual”.

Zoti Menendez i bëri komentet për programin This Week.

Të premten, në një konferencë për shtyp, Presidenti Barak Obama tha se nuk ka marrëdhënie të këqija personale me zotin Putin. Megjithatë, javën e kaluar Shtëpia e Bardhë njoftoi anulimin e një takimi që ishte planifikuar të zhvillonin dy udhëheqësit në Moskë në muajin shtator. Presidenti Obama u shpreh në këtë mënyrë lidhur me vendimin:

"Ndoshta është me vend të bëjmë një pauzë, të analizojmë drejtimin që ka marrë Rusia dhe të rikalibrojmë marrëdhënien tonë në mënyrë që të bëjmë atë që i shërben Amerikës dhe shpresojmë, që i shërben edhe Rusisë. Duhet të pohojmë se kemi mospajtime dhe se nuk do të arrijmë t’injorojmë disa prej tyre plotësisht”.

Tensionet dypalëshe nuk penguan një takim gjatë javës së kaluar mes Sekretarit të Shtetit John Kerry, Sekretarit të Mbrojtjes Chuck Hagel dhe homologëve të tyre rusë. Zyrtarët amerikanë thanë se toni i takimeve ishte pozitiv dhe konstruktiv.

Në komentet pas anulimit të takimit Obama-Putin, një këshilltar i Presidentit rus tha se Amerika ka treguar se nuk është e gatshme për marrëdhënie të barabarta me Rusinë.
XS
SM
MD
LG