Lidhje

Ligjvënësit analizojnë ndihmën amerikane për Sirinë


Zyrtarët amerikanë thonë se kriza e refugjatëve sirianë po thellohet dhe po bëhet gjithmonë e më e vështirë që organizatat e ndihmave t’i përgjigjen katastrofës humanitare të përmasave të tmerrshme. Ligjvënësit amerikanë u informuan hollësisht nga zyrtarët më të lartë për refugjatët dhe ndihmën humanitare dhe reaguan me thirrje për intensifikim të përpjekjeve.

Lufta civile e Sirisë ka zhvendosur më shumë se 2 milionë vetë, gjysma fëmijë dhe i ka shteruar aftësitë e fqinjëve për të pranuar refugjatë. Zyrtarja amerikane që merret me çështjet e refugjatëve, ndihmës sekretarja Anne Richard, bëri një paraqitje pa rezerva të gjendjes para një komisioni të Senatit në Kongres.

“Në një farë kuptimi është vetëvrasja e Sirisë. Është një krizë e jashtëzakonshme që megjithëse janë shpëtuar shumë jetë njerëzish dhe shumë të tjerë kanë marrë ndihmë në vendet ku kanë shkuar, kjo nuk është e mjaftueshme”.

Në seancë dëshmoi edhe administratorja e ndihmës humanitare Nancy Lindborg e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID. Ajo tha se ka patur një mobilizim të pashembullt nga qeveritë dhe grupet e ndihmave për të dërguar ndihma për Sirinë dhe fqinjët e saj, përfshirë përpjekjet amerikane që kapin shifrën e 1.3 miliardë dollarëve.

“Ne e dimë se ndihma humanitare nuk është zgjidhja e krizës dhe nuk mund t’i japë fund gjakderdhjes. Por po shpëton jetë të panumërta”.

Senatori demokrat Sheldon Whitehouse e sfidoi administratën e Presidentit Obama të bëjë më shumë.

“Ne vazhdimisht kemi qenë të vonuar me përgjigjen ndaj krizës në Siri dhe si rezultat mendoj se ka pasur vuajtje njerëzore të panevojshme”.

Senatori tjetër demokrat Richard Durbin tha se Shtetet e Bashkuara duhet të pranojnë më shumë refugjatë dhe me një ritëm më të shpejtë. Senatori republikan Ted Cruz pyeti nëse vala e refugjatëve po destabilizon fqinjët e Sirisë. Anne Richard e Departamentit të Shtetit tha po.

“Ndikimi është shkatërrues. Po minon stabilitetin e rajonit. Nuk është më një krizë siriane por rajonale”.

Senatori republikan Lindsey Graham tha se katastrofa humanitare do të thellohet edhe më shumë nëse vende si Jordania dhe Libani i bllokojnë kufijtë më Sirinë. Ai u bëri thirrje zyrtarëve të pranishëm që të hartojnë plane për skenarin më të keq në vitin e ardhshëm.

“Po ju jap një shans që të na thoni nëse më e keqja nuk ka ardhur ende dhe të përgatisni paraprakisht anëtarë të Kongresit që janë në favor të shtimit të përpjekjeve, se çfarë kërkesash mund të na dërgoni. Sugjeroj që të hartoni një plan për atë që ne mund të na duhet të bëjmë si vend, përsa i takon detyrimeve tona për të stabilizuar rajonin”.

Nancy Lindborg e USAID-it tha se situata në dhe përreth Sirisë i ka kaluar vazhdimisht parashikimet edhe për skenaret e rastit më të keq.
XS
SM
MD
LG