Lidhje

Amerikanët nderojnë astronautin John Glenn


Ish astronauti amerikan, marinsi dhe senatori John Glenn vdiq të enjten në një spital në Kolumbus të Ohajos. Ai ishte 95 vjeç. Në vitin 1962, John Glenn u bë amerikani i parë që fluturoi në orbitën rreth Tokës, një vit pasi Bashkimi Sovjetik kishte dërguar njeriun e pare në orbitë. Ai shërbeu në senatin amerikan si një ligjvenës demokrat nga Ohajo për 24 vjet dhe garoi për president në vitin 1984. Në moshën 77 vjeçare, ai u kthye sërisht në hapësirë duke, vendosur një record të dytë, këtë herë si njeriu më i moshuar që e bënte një gjë të tillë. Glenn ishte anëtari i fundit që jetonte nga grupi i 7ë astronautëve të parë amerikanë që fluturuan me anijen e hapësirës Mercury.

Pasi bëri tre fluturime përreth tokës dhe u ul pa probleme, megjithë vështirësitë teknike, John Glenn u bë hero kombëtar. Ai ndihmoi në rivendosjen e besimit amerikan tek aftësitë për të konkurruar me Bashkimin Sovjetik në garën e hapësirës. Dy vjet më vonë ai u shkëput nga Nasa dhe njoftoi planet për të garuar për një vend në senatin amerikan si përfaqësues i Ohajos. Ai shërbeu në Senat për 24 vjet.

"E kam parë gjithmonë jetën time në shërbim të vendit”.

Ish kandidatja për presidente Hillary Clinton ishte mes të parëve që bëri një deklaratë publike për vdekjen e John Glennit gjatë një takimi në Kongres.

"Sot ndërroi jetë, senatori John Glenn, mik i shumë prej nesh dhe një a hero i vërtetë amerikan".

Si senator nga Ohajo, John Glenn ishte i përfshirë në planet amerikane për luftën në Bosnje gjatë administratës së presidentit Bill Clinton.

"Ne jemi të përgatitur të përdorim forcë të madhe, jo vetëm të barabartë, por të papërballueshme nëse goditemi. Ne mund të ndihmojmë shumë dhe me një rrezik minimal. Në se e bëjmë këtë, sigurisht që ja vlen".

Por në vitin 1998 Glenn u kthye në hapësirë pasi një mungese 36 vjeçare. Në një mision nëntë ditor në bordin e anijes Discovery, shkencëtarët studiuan efektet e mungesës së gravitetit tek mosha. Para misionit, ai iu drejtua me këto fjalë bashkëshortes:

"Një gjë i premtova Annie-t ditën që u martuam, përveç premtimeve tradicionale sigurisht, është se do të bëja gjithçka të mundur për të mos e bërë jetën të mërzitshme”.

Glenn është nderuar me disa çmime, mes tyre Medalja e Nderit nga Presidenti Barack Obama në vitin 2012. Presidenti Obama lëshoi një deklaratë të enjten duke thënë se John Glenn frymëzoi "gjenerata shkencëtarësh, inxhinierësh dhe astonautësh që do të na çojnë në Mars dhe më tej”.

XS
SM
MD
LG