Lidhje

SHBA: Një ligj i ndalon qeverisë federale të njohë martesat e çifteve të gjinisë së njejtë


SHBA: Një ligj i ndalon qeverisë federale të njohë martesat e çifteve të gjinisë së njejtë
SHBA: Një ligj i ndalon qeverisë federale të njohë martesat e çifteve të gjinisë së njejtë

Një ligj në fuqi i ndalon qeverisë federale të njohë martesat e çifteve të gjinisë së njejtë
qytetari amerikan të së njëjtës gjini. Vendimin e mori javën e kaluar një gjyqtar imigracioni në Nju Jork, në mes të sfidave të vazhdueshme ndaj kushtetutshmërisë së një ligji që i ndalon qeverisë federale të njohë martesat mes homoseksualëve.

Vitin e kaluar, Kristina Oheda nga Kuins i Nju Jorkut u martua me partneren e saj prej tre vjetësh, argjentinasen Monika Alkota, në Kenetikat, një nga shtetet e pakta që lejojnë martesën civile për homoseksualët. Por zonjës Alkota i është kanosur mundësia e deportimit për vite me rradhë, meqë ka qëndruar në Shtetet e Bashkuara në një vizë turistike të skaduar 10 vjet më parë.

Javën e kaluar, zonja Alkota u paraqit në gjykatë të imigracionit, ku do të shqyrtohej mundësia e deportimit të saj për në Argjentinë. Por gjyqtari ndaloi procedurën e deportimit për t’i dhënë kohë asaj dhe zonjës Oheda për t’i kërkuar qeverisë federale t’ua njohë martesën. Zonja Oheda foli për Zërin e Amerikës një ditë më vonë.

“Jemi të kënaqura me vendimin. Na jep më shumë shpresë.”

Ndër mënyrat më të zakonshme që të huajt të fitojnë leje qëndrimi në Shtetet e Bashkuara është martesa me një shtetas amerikan. Por kjo rrugë është e mbyllur për dhjetëra e mijëra çifte homoseksuale.

Shumica e shteteve refuzojnë t’u lëshojnë certifikata martese çifteve të gjinisë së njëjtë dhe ligji federal ndalon njohjen e martesave të të njëjtit seks. Bashkëshortja e zonjës Oheda u mbajt në paraburgim për tre muaj para fillimit të seancës gjyqësore. Avokati Levi Solouej përfaqëson zonjat Alkota dhe Oheda.

“Rasti i Monikës dhe Kristinës paraqet pasojat përfundimtare të diskriminimit ndaj çifteve homoseksuale, të cilët edhe pse janë të martuar ligjërisht u mohohet njohja e martesës së tyre nga ana e qeverisë federale brenda të gjitha rrethanave, përfshirë imigracionin.”

Miratuar në vitin 1996, Ligji i Mbrojtjes së Martesës përcakton se vetëm martesat mes individëve të gjinisë së kundërt janë të vlefshme sipas ligjit federal. Gjatë vitit të kaluar, gjykatat federale kanë cilësuar elemente themelore të këtij ligji si jokushtetuese. Ato raste po apelohen dhe në fund mund të vendosen nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara.

Javë më parë, administrata e Presidentit Obama njoftoi se nuk do të mbrojë më para gjykatës kushtetueshmërinë e Ligjit të Mbrojtjes së Martesës, duke ua lënë avokatëve të caktuar nga Kongresi që të argumentojnë për ruajtjen e ligjit. Më parë këtë muaj, u paraqitën në të dy dhomat e Kongresit projekte për shfuqizimit e ligjit.

Profesori i drejtësisë, Ari Ualdman, ka shkruar gjerësisht mbi betejat rreth Ligjit të Mbrojtjes së Martesës. Ai thotë se një gjyqtar imigracioni ka të drejtë të pezullojë deportimin, siç veproi gjykatësi Teri Bejn në rastin e zonjës Alkota.

Meqë kushtetutshmëria e ligjit është të paktën i paqartë, gjyqtari Bejn mund të ketë vlerësuar se nuk duhet mbështetur në një ligj të tillë për ndarjen e një çifti të përkushtuar.”

Zëri i Amerikës kontaktoi disa grupe që mbështesin Ligjin e Mbrojtjes së Martesës. Asnjë nuk ishte i gatshëm për të komentuar mbi rastin Alkota-Oheda, por të gjithë janë të palëkundur në bindjen e tyre se institucioni i martesës duhet të rezervohet vetëm për heteroseksualët dhe se lejimi i homoseksualëve për t’u martuar do të dobësonte institucionin dhe prishte familjen, të cilën e quajnë gur ndërtues të qytetërimit. Avokati Levi Solouej e sheh ndryshe çështjen.

Me të vërtetë është çështje diskriminimi. Unë nuk kam dëgjuar ende një argument bindës për të arsyetuar diskriminimin kundër çifteve si Kristina dhe Monika. Shtetet e Bashkuara kanë një histori të gjatë të përpjekjeve për të përsosur idealin që të gjithë njerëzit të jenë të barabartë sipas ligjit. Çfarë arritën Monika e Kristina është një hap i vogël drejt përsosjes së mëtutjeshme të atij ideali.”

Profesor Ualdman thotë se vendimi i gjyqtarit Bejn nuk krijon ndonjë precedent të detyrueshëm për rastet e tjera të imigracionit, që përfshijnë çiftet e martuara homoseksuale ku njëri nga bashkëshortët është i huaj. Por ai pret që gjyqtarët e tjerë të marrin parasysh rastin Alkota-Oheda dhe të pajtohen që deportimet e ngjashme duhet të pezullohen derisa të përcaktohet përfundimisht kushtetutshmëria e Ligjit të Mbrojtjes së Martesës ose derisa të shfuqizohet ligji, për çfarë ka bërë thirrje vetë Presidenti Barak Obama.

XS
SM
MD
LG