Lidhje

Trajtim eksperimental i paralizës me qeliza embrionale


Trajtim eksperimental i paralizës me qeliza embrionale
Trajtim eksperimental i paralizës me qeliza embrionale

Pas shumë terapive fizike, një pacient i paralizuar vendosi të dalë vullnetar për trajtimin eksperimental me qeliza embrionale, trajtim që ai sheh si të vetmen shpresë për të ardhmen e tij. T-J Atchinson – dikur vrapues i garave të shpejta – tani i paralizuar, është personi i parë në Shtetet e Bashkuara që po trajtohet me qeliza embrionale, një çështje kaq shumë e debatuar.Për këtë dhe të reja të tjera nga fusha e mjekësisë, kolegu Astrit Lulushi sjell hollësi

Trajtimi me qeliza embrionale ishte ëndrra e aktorit Kristofer Reeve, që ishte paralizuar pas rrëzimit nga kali. Protagonisti i filmit “Superman” u përpoq shumë për një terapi të tillë, por nuk arriti të përfitojë prej saj. Ai vdiq në vitin 2004.

T-J Atchinson shpreson se po jeton të njëjtën ëndërr. Dikur atlet vrapues, sot ai është i paralizuar si pasojë e një aksidenti të rëndë me makinë.

Mjekët i thanë se ai nuk do të jetë në gjendje të ecë kurrë më. Pastaj i thanë se ai ishte kandidat për t’iu nënshtruar eksperimentit me qeliza embrionale. Atchinson pranoi të bëhet një “laborator shprese” për njerëzit me shtyllë të dëmtuar kurrizore.

Eksperimenti u krye në qendrën mjekësore Shepherd në Atlanta. Drejtori i kësaj qendre, mjeku Donald Leslie thotë se qëllimi i eksperimentit është për të kuruar paralizën, që njerëzit me lëndime në shtyllën kurrizore të mos trajtohen si pacientë pa shpresë shërimi.

Gjatë procedurës, kirurgët hapën plagën dhe injektuan me shiringë qelizat embrionale. Mjekët shpresojnë se këto qeliza të përgjithëshme do të transformohen në qeliza të reja nervore dhe do t’u bashkohen muskujve duke “rindezur” sistemin nervor të Atchinsonit. Eksperimente të ngjashme me kafshë në laborator kane dhënë rezultate pozitive; kafshë me shtyllë kurrizore të dëmtuar, janë rimëkëmbur

Nëna e Atchinsonit, Anita, thotë se disa njerëz kundërshtojnë – mbi baza fetare – terapinë me qeliza embrionale, por ajo mendon se ky kundërshtim është i pa- arsyeshëm. “Këta njerëz do të mendonin ndryshe po të ishin në pozitat e djalit tim”, thotë Anita.

Roli i Atchinsonit në këtë eksperiment është vetëm për të provuar se procedura është pa rrezik. Por ai shpreson se kjo procedurë do të jetë edhe përfituese; ai mund të ecë përsëri, si dhe do të hapet rruga për trajtimin e të paralizuarve të tjerë.

Tani, 6 muaj pas procedurës, Atchinson thotë se ka filluar të ndjejë këmbët e veta dhe kjo i jep shpresa se do të jetë në gjendje jo vetëm të ecë, por edhe të vrapojë përsëri.


Pagjumësia lidhet me mbipeshën edhe tek fëmijët

Ka kohë që mungesa e gjumit është lidhur me shtimin e peshës trupore tek të rriturit. Tani, një studim i botuar në revistën mjekësore britanike (BMJ) , tregon se një lidhje e ngjashme midis pagjumësisë dhe mbipeshës vihet re edhe tek fëmijët. Shkencëtarët në Zelandën re morrën në shqyrtim 244 fëmijë nga mosha 3 vjec deri në 7 vjeç. Ata flinin mesatarisht 11 orë në natë. Por sa më pak orë gjumi, aq më tepër shtohej rreziku për mbipeshë.

Autorët e studimit thonë se çdo orë gjumi shtesë në një natë shoqërohej me një pakësim prej 61 përqind të rrezikut për t’u bërë mbishë kur fëmijët të arrinin moshën 7 vjeç. Kjo, pavarësisht nga faktorët e jetesës që gjithashtu ndikojnë në peshën trupore.
Studimi u kryer nga shkencëtarë të Universitetit Otago në Dunedin të Zelandës së Re. Autorët e studimit mendojnë se pakësimi i kohës së gjumit duket se shton konsumin e ushqimit dhe ul nivelin e veprimtarive të fëmijëve gjatë ditës, gjë që rezutlon në mbipeshë.

Vaksina e gripit dhe shtatzënia

Për dekada me radhë, miliona gra shtatzëna kanë ndjekur këshillat e mjekut ose kanë ngurruar për t’u vaksinuar kundër gripit. Studimet tani tregojnë se përfitimet nga vaksinimi mund të jenë më të shumta sesa mendohej më parë. Prej kohësh mjekët kanë rekomanduar vaksinën kundër gripit për pacientet shtatzëna. Kjo për arsye se gratë që presin të lindin janë në një rrezik më të madh për ndërlikime nga gripi, përfshi lindje të foshnjes nënpeshë, lindje të parakohëshme dhe vdekje e nënës gjatë lindjes

Shkencëtarët pranë universitetit Emory në Atlanta, morrën në shqyrtim të dhënat shëndetësore të rreth 4 mijë grave dhe vunë re se foshnje e lindura nga nëna të vaksinuara kishin patur 40 përqind më pak gjasa për të lindur parakohe – dhe 69 përqind më pak gjasa për të lindur nënpeshë normale, në krahasim foshnjet e lindura nga nënat që nuk ishin vaksinuar. Gjithashtu duket si jo rastësi që përfitimet nga vaksina u vunë re vetëm në ato lindje që kishin ndodhur gjatë stinës së gripit që zgjat nga 1 tetori deri më 31 maj.

XS
SM
MD
LG