Lidhje

SHBA: Numri i trupave amerikane në Irak tani është më pak se 50 mijë


Shtetet e Bashkuara thonë se tani kanë më pak se 50 mijë trupa në Irak, ndërkohë që po i japin fund zyrtarisht operacioneve luftarake atje.

Në një deklaratë të bërë sot, ushtria tha se e ka realizuar shkurtimin e trupave para afatit të 31 gushtit të vendosur nga Presidenti Barak Obama.

Forcat amerikane do ta ndryshojnë misionin e tyre duke u marrë me stërvitjen e forcave irakiane të sigurisë, me operacione anti-terrorizmi dhe me mbështetjen e organizatave që punojnë për rindërtimin e Irakut.

Niveli i trupave amerikane tani është më i ulti që nga fillimi i ndërhyrjes amerikane në Irak në mars 2003.

Të gjitha trupat amerikane parashikohet të largohen nga Iraku deri në fund të vitit 2011.
Në një fjalim të mbajtur dje, nënpresidenti amerikan Xho Bajden hodhi poshtë kritikat se tërheqja e trupave ka çuar në shtimin e dhunës. Ai tha se në Irak “ka shpërthyer politika dhe jo lufta”.

Zoti Bajden i tha një grupi veteranësh se ka besim të plotë se Iraku do të formojë një qeveri dhe se udhëheqësit e vendit janë duke i zgjidhur ndarjet e thella mes tyre përmes negociatave dhe jo luftës.

XS
SM
MD
LG