Mediat shtetërore koreano-veriore pohuan se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një ndihmë ushqimore dhe heqjen e përkohëshme të sanksioneve kundër Phenianit, në qoftë se ky vend pezullon programin e tij për pasurimin e uraniumit.
Shërbimet Qendrore të Lajmeve të Koresë së Veriut citojnë një zëdhënës të Ministrisë së Jashtme të ketë thënë se Uashingtoni e ka bërë këtë ofertë gjatë bisedimeve të nivelit të lartë në korrik të vitit të kaluar.
Zëdhënësi në fjalë i akuzoi Shtetet e Bashkuara për politizimin e çështjes, siç e cilësoi ai. Por ai la të kuptohej se Pheniani është ende i interesuar për këtë marrëveshje, duke thënë se Koreja e Veriut do të vazhdojë të vëzhgojë, nëse Shtetet e Bashkuara me të vërtetë janë të angazhuara për krijimin e besimit reciprok.
Megjithë divergjencat politike me Korenë e Veriut, Shtetet e Bashkuara kanë qenë kontribuesit më të mëdhenj të ndihmave ushqimore për këtë vend komunist që nga zhytja e tij në uri në vitin 1990.
Përpjekjet e fundit amerikane për ndihma u pezulluan në fillim të vitit 2009, pjesërisht për shkak të shqetësimeve se artikujt ushqimorë shkonin për anëtarët e ushtrisë koreano-veriore, ose anëtarët e elites së saj komuniste.