Lidhje

SHBA-OKB për provën bërthamore të Koresë së Veriut


Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri dhe Sekretari i Pëgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun thonë se prova bërthamore e Koresë së Veriut këtë javë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar, Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Skot Stërns, informon nga Departamenti i Shtetit.

Ndërsa turmat në Fenian festuan atë që udhëheqësit e Koresë së Veriut e quajtën një provë të suksesëshme bërthamore për vetmbrojtjen e ligjëshme, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun thotë se prova është një sfidë e drejtpërdrejtë për komunitetin ndërkombëtar.

"Unë i kam bërë gjithnjë thirrje udhëheqjes së Fenianit të heqë dorë nga programi i saj bërthamor dhe të përqendrohet në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për popullin korean, duke trajtuar nevojat e domosdoshme humanitare dhe gjendjen e të drejtave të njeriut në vend”.

Para bisedimeve me zotin Ban, Sekretari i Shtetit, Xhon Kerri , tha se Koreja e Veriut është një kërcënim serioz për paqen në botë.

"Prova e kësaj jave është një akt i rëndë provokues që kërkon një përgjigje të fortë, të shpejtë dhe të besueshme nga komuniteti ndërkombëtar”.

Prova e tretë bërthamore e Koresë së Veriut në shkelje të një rezulute të Kombeve të Bashkuara u kritikua edhe nga Kina, e cila është aleatja më e madhe e Fenianit.

Sekretari Kerri tha se Kina mund të bëjë më shumë për të shkurajuar programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Por analisti i Institutit CATO, Xhastin Logan, thotë se Uashingtoni i ka dhënë Pekinit pak stimuj për të mbajtur një qendrim më të rreptë ndaj Fenianit.

"Kinezët e dinë se janë një faktor me një farë rëndësie kur është fjala për Korenë e Veriut. Por, për mendimin tim, Uashingtoni nuk ka qënë i predispozuar të ndërmarrë hapa ambicioze në raport me çështjen e Koresë, për të kompensuar në fusha të tjera në raport me Kinën”.

Sekretari Kerri dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun thonë se po punojnë me anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe aleatë të tjerë për të garantuar një përgjigje të përshtatëshme ndaj provës bërthamore të Koresë së Veriut.

Koreja e Veriut ka kërcënuar se do të ndërmarë veprime të tjera më të forta nëse do të jetë e nevojshme për t’iu kundërvënë atij që e cilëson si qendrim armiqësor të Shteteve të Bashkuara ndaj shtetit komunist.
XS
SM
MD
LG