Lidhje

Uashingtoni: Penjani mund të jetë duke fshehur uzina të tjera bërthamore


Uashingtoni: Penjani mund të jetë duke fshehur uzina të tjera bërthamore
Uashingtoni: Penjani mund të jetë duke fshehur uzina të tjera bërthamore

Shtetet e Bashkuara thonë se Koreja e Veriut mund të jetë duke fshehur uzina të tjera bërthamore me kapacitet për përdorim ushtarak, pas njoftimeve që bëri për ndërtimin e një kompleksi për pasurimin e uraniumit.

I dërguari amerikan pranë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Glyn Davies, tha sot se ka “gjasë” që Koreja e Veriut të ketë ndërtuar komplekse të tjera që kanë të bëjnë me pasurimin e uraniumit në territorin e saj. Ai bëri komentet në një takim të drejtorisë së agjencisë në Vjenë.

Zoti Davies thotë se Uashingtoni beson që Koreja e Veriut filloi përpjekjet për pasurimin e uraniumit para prillit 2009, kur Pheniani pohon se nisi projektin e fundit.

Koreja e Veriut tha më parë këtë javë se ka një kompleks për pasurimin e uraniumit me mijëra centrifuga funksionale që mund të prodhojnë karburantë për një reaktor me ujë të lehtë, i cili tani është duke u ndërtuar. Pheniani tha se komplekset janë përcaktuar për përftim paqësor të energjisë.

Pasurimi mund t’i japë Koresë së Veriut edhe mundësi alternative për prodhimin e armëve bërthamore, krahas programit tashmë të ditur të armëve me plutonium.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Yukiya Amano, shprehu “shqetësim të thellë” sot rreth komplekseve të reja bërthamore të Koresë së Veriut.

XS
SM
MD
LG