Lidhje

SHBA, rritet shitja e varkave dhe mjeteve lundruese


Varkat e reja qëndrojnë në molin në Chester, të shtetit Virxhinia
Varkat e reja qëndrojnë në molin në Chester, të shtetit Virxhinia

Ndërsa pandemia ka bllokuar një pjesë të mirë të Amerikës, një numër në rritje njerëzish e kanë përqendruar vëmendjen tek aktivitetet ujore. Kjo vëmendje përbën një lajm të mirë për industrinë e anijeve. Që nga shteti Mejn deri në Kaliforni, tregtarët e anijeve po njoftojnë për shitje të mëdha që filluan në shtetet me mot të ngrohtë pranveror dhe u përhapën edhe në pjesë të tjera të vendit.

Lundrimi po bëhet një argëtim gjithnjë e më popullor për ata që mund ta përballojnë financiarisht. Portet dhe kantieret e riparimit janë pushtuar nga një valë interesi. Shumë njerëz i janë kthyer pasionit të lundrimit, që nga varkat më modeste deri tek jahtet luksoze. Andrew Slakey është pronar i ri i një anijeje.

“E gjithë kjo ka krijuar më shumë stres se sa ne e pranojmë. Ndaj është momenti i duhur që të largojmë vëmendjen nga situata.”

Wayne Goldman i cili drejton kompaninë “Atomic Tuna Yachts” në Alameda të Kalifornisë thotë se shitjet arritën shifra rekord muajin korrik.

“Korriku shënoi shitjet më të mira ndonjëherë. Shitëm 12 anije muajin e kaluar. Tre deri katër anije në muaj nënkuptojnë një muaj të mirë për ne.”

Prirja qëndron tek fakti që njerëzit po kërkojnë të bëjnë diçka, dhe një hapësirë të sigurtë ku të shkojnë në këtë kohë pandemie që ka shtuar shqetësimet dhe ka kufizuar mundësitë për të kaluar kohën e lirë.

Një anketë e kohëve të fundit nga Shoqata e Tregtarëve Detarë të Amerikës tregonte se më shumë se 70 përqind e tregtarëve të anijeve ose kishin shitur gjithçka ose kishin inventar të pakët.

“Pothuajse s’kemi asgjë për të shitur. Gjysma e këtyre anijeve të ankoruara janë blerë. Vështirë të porositësh anije të tjera dhe të mos shiten. Është një problem i mirë për ne”, thotë zoti Goldman.

Oqeanet, liqenet dhe rezervuaret artificale janë vende të mira për distancimin fizik dhe njëkohësisht për argëtim.

“Je larg njerëzve të tjerë kur je në ujë. Kjo ndihmon me distancimin fizik”, thotë zoti Goldman.

Lundrimi është një sport i këndëshëm për njerëzit që u desh të anulonin pushimet verore.

“Ke rastin të ftosh miq në bordin e anijes. Është një mënyrë e sigurtë në një mjedis të hapur mbi kuvertën e anijës në ajër të pastër. Është një rast special ndërsa përballemi me gjëra mjaft të zymta”, thotë pronari i ri i anijes Slakey.

Ndërsa kapitenët e rinj të anijve nisin rrugëtimet e tyre, ekzistojnë shqetësime lidhur me sigurinë që nuk ka lidhje me pandeminë.

Roja Bregdetare Amerikane rekomandon që kapitenët e rinj të ndjekin kurse, pavarësisht vështirësisë si trajnimit si rezultat i pandemisë. Disa kapitenë po shfrytëzojnë kurset në internet për të mësuar më shumë mbi sportin e lundrimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG