Lidhje

Projekt-ligj në kongres për sanksione kundër Rusisë


Një grup senatorësh republikanë dhe demokratë pritet të paraqesin sot një projekt-ligj që synon vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë për shkak të sulmeve të saj kibernetrike si dhe qëndrimit të Moskës ndaj Sirisë dhe Ukrainës. Në grupin e 10 senatorëve që do të paraqesin projekt-ligjin janë republikanët John McCain, Lindsey Graham, Marco Rubio, Ben Sasse dhe Rob Portman si dhe demokratët Ben Cardin, Robert Menendez, Jeanne Shaheen, Amy Klobuchar dhe Richard Durbin. Mbështetja nga të dyja partitë i shton shanset që propozimi të miratohet duke u kthyer në ligj. Ka njoftime se një projekt-ligj i ngjashëm po shqyrtohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Projekt-ligji mund të sjellë përplasjen e parë të madhe mes kongresit të kontrolluar nga republikanët dhe presidentit të ri Donald Trump, i cili në të kaluarën e ka vlerësuar disa herë pozitivisht presidentit Putin.

Rusia i ka mohuar përfundimet e agjencive amerikane të zbulimit sipas të cilave Moska është përpjekur të ndërhyjë në procesin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitry Peskov tha sot se projekt-ligji amerikan për vendosjen e sanksioneve është një përpjekje për t’i dëmtuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.

Zëdhënësi rus shtoi se Rusia mohon kategorikisht çdo përfshirje, siç është akuzuar, për vjedhjen e mijëra e-maileve nga kompjuterat e Komitetit Kombëtar Demokrat si dhe bërjen e tyre publike përmes Wikileaks.

Sipas një përmbledhje të sanksioneve që ka parë agjencia Reuters, ndër masat ndëshkimore përfshihen mos-dhënia e vizave dhe bllokimi i pasurive të individëve që janë angazhuar në sulme kibernetike.

Zyrtarët amerikanë e akuzojnë Rusinë se u përpoq të minonte shanset për t’u zgjedhur kandidates demokrate Hillary Clinton dhe u përpoq të ndihmonte rivalin e saj republikan Donald Trump.

Ligjvënësit amerikanë kishin kohë që kërkonin një përgjigje më të ashpër ndaj Rusisë për shkak të rolit të saj në Siri dhe Ukrainë. Raporti i agjencive amerikane të zbulimit javën e kaluar që theksonte se presidenti Putin kishte urdhëruar sulmet kibernetike ndaj Shteteve të Bashkuara e bëri edhe më të ngutshëm veprimin e Kongresit.

Projekt ligji po ashtu parashikon të kthejë në ligj, disa urdhëra ekzekutivë të presidentit Obama, mes të cilëve moslejimin e investimeve mbi 20 milionë dollarë në sektorin naftës dhe gazit në Rusi.

Projekt-ligji paraqitet në ditë para seancave dëgjimore në Kongres për konfirmimin e kandidaturës së presidentit Trump për sekretar shteti, Rex Tillerson, ish drejtori ekzekutiv i gjigandit amerikan të energjitikës Exxon Mobil me interesa të shumta biznesi në Rusi.

XS
SM
MD
LG