Lidhje

SHBA ndihmë Tiranës për integrimin në BE


Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit Hoyt Brian Yee viziton Tiranën: “Angazhim për të ndihmuar edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”

Shtete e Bashkuara janë të angazhuara të ndihmojnë Shqipërinë edhe në rrugën e integrimit euroian të saj. Kjo u theksua në Tiranë nga zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit Hoyt Brian Yee në përfundim të takimit të tij me ministrin e jashtëm shqiptar Ditmir Bushati. Të dy zyrtarët rikonfirmuan marrëdhëniet e ngushta të bashkëpunimit duke theksuar angazhimin e dyanshëm për thellimin e mëtejshëm të tyre.

Zyrtari i departamentit amerikan të Shtetit Hoyt Brian Yee ishte dje në Tiranë në të parën vizitë të tij në funksionin e zëvendës ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për cështetjet e Europes dhe Euroazisë. Zoti Yee u prit nga nivelet më të larta të shtetit shqiptar, presidenti Bujar Nishani, kryetari i parlamentit Ilir Meta dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. “Ne diskutuam rreth marrëdhënieve të miqësisë dhe partneritetit të fortë mes SHBA e Shqipërisë si dhe dëshirën që bashkëndamë për ta thelluar këtë marrëdhënie. Kemi diskutuar qëllimin tonë të përbashkët për të cuar përpara përpjekjet e Shqipërisë për tu bashkuar me BE-në si dhe kemi ripohuar përkushtimin dhe angazhimin e SHBA në arritjen e këtij qëllimi, përfshirë edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, u shpreh zoti Yee.

Nga ana e tij ministri Bushati përsëriti angazhimin e qeverisë shqiptare për të ecur përpara në realizimin e reformave të kërkuara: “E sigurova zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit se qeveria shqiptare do të vazhdojë me reforma të qenësishme në fushën e shtetit të së drejtës, antikorrupsionit, krimit të organizuar dhe drejtësisë në përgjithësi jo vetëm për të vazhduar rrugëtimin Evropian por në të njëjtën kohë, për të transformuar në mënyrë sa më demokratike shoqërinë shqiptare dhe për të zhvilluar ekonomikisht vendin tone”.

Shtetet e Bashkuara janë partneri kryesor politik i Shqipërisë dhe ministri Bushati gjeti edhe një herë rastin për ta rikonfirmuar këtë marrëdhënie të vecantë mes dy vendeve: “SHBA, janë partneri ynë kryesor strategjik me të cilët kemi pasur dhe do të vazhdojmë të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë lidhur me prioritetet kryesore të politikës së jashtme, një bashkëpunim i cili, përveçse bilateral, ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë i shtrirë në mënyrë kapilare dhe në kuadrin e organizatave ndërkombëtare ku ne jemi të përfaqësuar”.

Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Yee, pason në këtë detyrë zotin Philip Reeker. Ai është një njohës i mirë i rajonit. Gjatë viteve 2000 ai ka shërbyer pranë misioneve diplomatike amerikane në Selanik të Greqisë, në Mal të zi dhe në Zagreb, ne Kroaci, ndërsa në fund të viteve ’90 ka mbuluar detyrën e zëvendës shefit të kabinetit të sekretarit të përgjithshëm të Natos në ato vite, Havier Solana.
XS
SM
MD
LG