Lidhje

SHBA, Sektori i aragostës preket nga tarifat kineze


Aragostat e famshme të shtetit amerikan Maine

Në korrik 2018 Kina vendosi tarifa mbi një numër artikujsh amerikanë të eksportit, përfshirë aragostat e lakmuara të shtetit Mejn. Brenda një viti, vëllimi i eksportit të këtyre produkteve të shijshme të detit ka rënë 80 për qind, duke i detyruar kompanitë amerikane të bëjnë ndryshime drastike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh ishte në shtetin verilindor të Mejnit për të parë nga afër ndikimin që kanë pasur tarifat mbi këtë sektor:

Tom Martin merret prej 35 vjetësh me peshkimin e aragostave:

E fillova si punë verore kur isha 14 vjeç. E bëja çdo verë deri kur shkova në universitet. Pas një viti e lashë universitetin dhe fillova të merrem gjithë kohën me aragosta”, thotë zoti Martin.

Ai thotë se i pëlqen puna që ka zgjedhur megjithëse ka mund.

“Nganjëherë kap shumë, por ka vite që dal dobët. Punoj me sa mundem dhe shpresoj që të shkojnë punët mirë”, thotë ai.

Peshkatarë si Tomi ua shesin aragostat që kapin tregtarëve me shumicë dhe restoranteve, si ky restorant në qytetin Portland që shet rreth 60 aragosta në ditë.

“Është e freskët, e shishme dhe me çmim të leverdishëm,” thotë Tiang-Feng Gu, një turist kinez.

Tregtarët me shumicë si Sheila Adams që eksportojnë aragosta të gjalla, thonë se punët nuk kanë ecur mirë. Në korrik 2018, Kina vendosi tarifa ndaj eksporteve ushqimore e bujqësore amerikane, përfshirë aragostat.

Zonja Adams thotë se biznesi i tyre ra 20% menjëherë:

“Rreth 80% e shitjeve tona në Kinë janë zhdukur”.

Kjo për arsye të tarifës prej 25% që tani i kalon konsumatorit kinez. Si rezultat, importuesit kinezë po lidhen me peshkatarë kanadezë për aragosta.

Zonja Adams dhe ekipi i saj po kërkojnë tregje të tjera brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara për të përballuar rënien.

Aragostat mbërrijnë të gjalla në magazinën e tyre, ku përpunohen, paketohen dhe përgatiten për t’u dërguar në 29 vende të ndryshme:

“Të gjitha këto vende së bashku janë sa tregu kinez. Na u desh një përpjekje e madhe për t’u lidhur me gjithë këto tregje që të rikuperonim biznesin që humbëm me Kinën”, thotë zonja Adams.

Wade Merritt është presidenti i Qendrës së Mejnit për Tregti Ndërkombëtare dhe drejtor i tregtisë ndërkombëtare për shtetin e Mejnit. Ai thotë se në këtë zonë bregdetare të shtetit Mejn ndjehet qartë ndikimi i tarifave:

“Eksporti i aragostës së gjallë të shtetit Mejn në Kinë ka rënë 82% nga viti 2018 deri në 2019. Pra ka pasur ndikim të ndjeshëm mbi këtë sektor”, thotë zoti Merritt.

Kjo ka ndikuar edhe tek sektorë të tjerë:

“Mendoni si i ka punët një pronar dyqani, apo i një pike karburanti. Mendoni si shkojnë punët në shkollën e një komuniteti peshkatarësh. Nëse nuk shesin aragosta, të gjitha aspektet e jetës e ndjejnë ndikimin,” thotë zoti Merritt.

Ai shpreson se kompanitë do të gjejnë forma të tjera mbijetese dhe do të rrisin vëllimin e eksportit me partnerët e tjerë përveç Kinës. Sheila Adams mbetet optimiste:

“Marrëdhëniet që kemi me partnerët në Kinë janë shumë të rëndësishme për ne. Jemi bërë miq të mirë me ta dhe mirëpresim ditën kur problemi i tarifave të zgjidhet dhe të mund t’i rikthehemi bashkëpunimit. Shpresoj që të rikthehet në funskionim ekonomia e tregut dhe të bëjmë tregti përsëri,” thotë zonja Adams.

Këtë shpresojnë të gjithë ata, të cilët e kanë ndërtuar jetesën mbi preferencat e konsumatorëve për aragostën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG