Lidhje

SHBA: Tregu i punës më i ulët se parashikimet


Kompanitë amerikane në korrik punësuan më pak njerëz se ç’ishte parashikuar muajin e kaluar. Megjithatë, Departamenti amerikan i Punës thotë se ekonomia ka shtuar mjaft vende pune në korrik për të ulur nivelin e papunësisë në 7.4 përqind - më i ulti në 4 vjet e gjysmë. Por analistët thonë se raportet e paqarta mbi tregun e punës sugjerojnë një prirje shqetësuese për punonjësit amerikanë.

Ekonomia amerikane shtoi 162 mijë vende të reja pune në korrik, një shifër që është në përputhje me rritjen e ngadaltë por të qëndrueshme të tregut të punës. Pavarësisht nga një rënie prej zero presje 2 përqind të nivelit të papunësisë, shifrat sugjerojnë se punëdhënësit mbeten të kujdesshëm.

Sasia dhe cilësia e vendeve të reja të punës e tregon më qartë këtë. Mark Hamrick është drejtues i Byros së Uashingtonit në Bankrate.com. Ai foli për Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

“Numri i orëve të punës nuk është mbresëlënës, niveli i të ardhurat ka rënë, dhe një numër i madh i vendeve të reja të punës në këtë raport janë punë me orar të shkurtuar. Pra, në përgjithësi, cilësia dhe sasia e vendeve të punës ka ngritur shumë pikëpyetje lidhur me gjendjen e tregut të punës”.

Numri i vendeve të reja të punës muajin e kaluar ishte më i ulëti që nga marsi dhe më i ulët se parashikimet për krijimin e rreth 185 mijë vendeve të reja të punës. Në Wall Street reagimet kanë qenë të zbehta. Por analistë të tjerë janë optimistë se tregu i punës do të forcohet në gjysmën e dytë të vitit. Ken Simonson, i Shoqatës Kombëtare për Ekonominë e Biznesit, i referohet sondazhit më të fundit të organizatës së tij.

“Firmat thanë se u treguan të kujdesshme gjatë tremujorit të fundit, dhe ato presin që gjatë gjashtë muajve të ardhshëm të vazhdojnë punësimin në një nivel mjaft të lartë”.

Lajm pozitiv është shtimi i 6 mijë vendeve të reja të punës në sektorin e prodhimit, hera e parë që nga shkurti që kjo industri shton vende të reja pune. Edhe sektorët e shërbimeve profesionale dhe teknologjisë kishin rritje të punësimit.

Një çështje tjetër për të cilën investitorët nuk kanë nevojë të sheqetësohen është ndryshimi i papritur në politikat monetare të bankës qendrore. Analistët thonë se rritja e ngadaltë ekonomike në tremujorin e dytë dhe rritja e vogël e tregut të punës në korrik sugjerojnë se Rezerva Federale nuk ka të ngjarë t’i pakësojë në një të ardhme të afërt blerjet e bonove të thesarit, veprim i cili i ka mbajtur normat afatgjata të interesit në shifrat më të ulëta në histori.
XS
SM
MD
LG