Lidhje

Disa vende marrin miliona doza vaksinash, dhuratë nga SHBA 


Dikur shihej si një vend që grumbullonte vaksinat, tani SHBA po ndan dozat duke iu përmbajtur premtimit të administratës Biden për të ndihmuar vendet në nevojë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Mariama Diallo raporton se disa nga vendet në nevojë i kanë marrë dozat e para të vaksinave.

Disa vende marrin miliona doza vaksinash, dhuratë nga SHBA
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:54 0:00

Tanzania mori sasinë e parë prej 1 milion doza vaksinash të kompanisë “Johnson & Johnson”, fundjavën e kaluar. Të mërkurën, presidentja e re e vendit ishte ndër të parat që u vaksinua.

Tanzania tani ka rritur përpjekjet për të përfituar sa më shumë vaksina, ndërsa ish-presidenti vdiq në muajin mars, pasi u infektua nga koronavirusi. Ai pretendonte se lutja mund ta mposhtte COVID-19. Megjithatë qëndrimet për vaksinën në këtë vend janë të ndryshme.

“Vendimi nga presidentja e re, për të marrë një drejtim të ri në betejën kundër koronavirusit ka sjellë lehtësim për banorët”, thotë një banore.

“Unë nuk jam i gatshëm të vaksinohem. Pse nuk i konsiderojmë edhe zgjidhjet tona tradicionale? Pse duhet të përdorim ilaçe të huaja?”, thotë një tjetër banor.

Pavarësisht hezitimit të disa banorëve, ministrja e Shëndetësisë e Tanzanisë siguron që vaksina është e sigurt.

“Banorët e Tanzanisë duhet të dalin me vetëbesim për t'u vaksinuar”, thotë ajo.

Një javë më parë, SHBA dërguan në Burkina Faso më shumë se 150 mijë doza të vaksinës “Johnson & Johnson”. Ambasadorja amerikane, Sandra Clark mori pjesë në një ceremoni për të dorëzuar furnizimet.

“Do të ketë më shumë dërgesa në javët ose muajt e ardhshëm”, tha ajo.

“Këto doza do të përdoren për të vaksinuar njerëzit që kanë nevojë për të”, tha ministri i Shëndetësisë në Burkina Faso.

Akunna Cook, nga Departamenti Amerikan i Shtetit i tha Zërit të Amerikës, se miliona doza janë duke u shpërndarë.

“Këtë fundjavë ne do të dorëzojmë 5.6 milionë doza në Afrikën e Jugut dhe më pas në Nigeri do të dorëzojmë rreth 4 miliomë doza”, tha zyrtarja e Departamentit Amerikan të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Por nivelet e vaksinimit në të gjithë Afrikën janë të ulëta, me më pak se 2% e popullsisë prej 1.3 miliardë banorë kanë marrë një dozë vaksine, sipas Qendrave të Afrikës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Zonja Cook thotë se SHBA po ndihmon gjithashtu edhe në fusha të tjera.

“Ne kemi investuar në prodhimin e vaksinave në Afrikën e Jugut dhe Senegal për të siguruar që Afrika të prodhojë vaksinat e veta. Ne gjithashtu po sigurojmë ndihmë ekonomike për vendet që janë goditur rëndë nga koronavirusi. Po japim më shumë se 541 milionë dollarë ndihmë”, tha ajo për Zërin e Amerikës

Dorëzimet po bëhen nga Afrika në Argjentinë, ku 3.5 milionë doza të vaksinës “Moderna” mbërritën të shtunën e kaluar.

“Për ne, është thelbësore të sigurojmë fqinjët tanë në rajon të kontrollojnë koronavirusin”, tha Marykay Carlson, e ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Argjentinë.

Argjentina ka vaksinuar pothuajse gjysmën e 45 milionë njerëzve me një dozë, dhe pothuajse 5.3 milionë njerëz me dy doza. Rreth 105 mijë njerëz kanë humbur jetën, sipas zyrtarëve.

Kolumbia, një nga vendet me nivelet më të larta të infeksionit në Amerikën e Jugut, gjithashtu mori vaksina.

“Sot kemi marrë dozat e vaksinave. Unë dua t’i shpreh mirënjohjen tonë Presidentit Joe Biden”, tha presidenti kolumbian. Kolumbia, një vend me 50 milionë banorë, ka raportuar rreth 120 mijë viktima nga koronavirusi.

Dhe duke folur në Singapor këtë javë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se rajoni Indo-Paqësor është gjithashtu një përparësi.

“Pandemia na ka treguar se sa thellë është e ndërthurur bota jonë”, tha ai.

Ndërsa shumë ekspertë mbështesin planin amerikan për dhurimin e vaksinave, ata gjithashtu thonë se donacionet nuk janë të mjaftueshme dhe nuk mund të zëvendësojnë një plan për t'i dhënë fund pandemisë.

XS
SM
MD
LG