Shefi i Kombeve të Bashkuara shprehet kundër një aleance kryengritësish në Sudan, që thotë se kërkon të rrëzojë qeverinë e Presidentit Omar al-Bashir.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon tha në një deklaratë se ai dënonte krijimin e njoftuar të Frontit Revolucionar të Sudanit. Ai i bëri thirrje të gjitha palëve që të heqin dorë nga përdorimi i dhunës. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së kërkoi gjithashtu që Sudani dhe Sudani i Jugut të angazhoheshin për fillimin e negociatave për zgjidhjen e çështjeve që mbeten burim tensioni midis tyre.
Fronti Revolucionar i Sudanit përfshin grupin më të fuqishëm të rebelëve të Darfurit, Lëvizja për Drejtësi dhe Barazi, dhe dy degët e Ushtrisë Çlirimtare të Sudanit. Aleanca përfshin gjithashtu degën e veriut të Lëvizjes për Lirinë e Popullit të Sudanit, e cila luftoi për jugun gjatë luftës së gjatë civile në Sudan, midis veriut dhe Jugut.