Lidhje

Gjenden shirita zanorë mbi një gjyq të Luftës së Ftohtë


William Oatis, korrespondent i AP në Pragë, u dënua nga një gjykatë komuniste me 10 vjet burg, pasi u detyrua të pranonte akuzat për spiunazh

Në qytetin e Franz Kafkës, gjykimi i korrespondentin të Associated Press në Pragë, William N. Oatis, kishte të gjithë elementët e absurditetit Kafkian. Por ndërsa procedurat gjyqësore mund të ketë qenë absurde, dënimi për gazetarin amerikan ishte i vërtetë: 10 vjet në një burg komunist nën akuza për spiunazh. Tani, zbulimi i dy shiritave audio në kryeqytetin çek ofron detaje të reja mbi gjyqin. Këto shirita janë materialet e vetme audio të gjetura rreth gjyqit tre-ditor.

William Oatis arriti në Pragë në vitin 1950, si korrespondent i Associated Press me detyrën për të mbuluar vendin komunist gjatë Luftës së Ftohtë. Brenda një viti, ai u dënua nga një gjykatë komuniste me 10 vjet burg, pasi u detyrua të pranonte akuzat për spiunazh. Rasti bëri bujë ndërkombëtare dhe shkaktoi embargo tregtie dhe udhëtimi nga SHBA-ja kundër Çekosllovakisë. Ai u lirua në vitin 1953 pasi kaloi dy vjet në burg.

Tani, zbulimi i papritur i dy shiritave audio, që gjenden në raftet e Arkivit Kombëtar të Republikës Çeke, ofron detaje unike dhe të padëgjuara më parë rreth procesit gjyqësor.

Zëri i prokurorit dhe i përkthyeses në shirit: "A keni marrë ndonjë urdhër apo udhëzime për punën tuaj të spiunazhit? Unë kam një dokument që tregon qartë që ju keni marrë urdhra të tilla."

Oatis dhe më pas përkthyesja në shirit: "Po, kam marrë urdhra të këtij lloji rregullisht nga Londra dhe Nju Jorku."

Shiritat përmbajnë 29 minuta regjistrime me fragmente nga dy ditët e para të gjykimit, të cilat përfshijnë deklaratat e Oatis-it, por jo dëshmitë e tre kolegëve çekë të AP-së, të cilët u dënuan bashkë me të. Ekspertët thonë se nuk është e qartë pse gjykimi është regjistruar dhe ruajtur në këtë mënyrë.

William Oatis nuk hezitoi të pranojë fajin, edhe pse historianët kanë vërtetuar se ai nuk kishte bërë asgjë tjetër përveç punës së tij si gazetar qysh prej mbërritjes në Pragë në qershor të vitit 1950.
Duke u përballur me ingranazhet e policisë sekrete, e njohur si STB, ai nuk kishte asnjë mundësi për t'i shpëtuar vendimit të padrejtë dhe nuk ishte i vetmi. Por, mes rreth 240 mijë të burgosurve në mënyrë të paligjshme, Oatis ishte i vetmi gazetar perëndimor.
Slavomir Michalek është drejtor i Institutit të Historisë në Akademinë e Shkencave të Sllovakisë, në Bratislavë, si dhe autor i librit "Çështja Oatis”.

"Është e vështirë të thuhet përse zgjodhën Oatis. Në dokumente, nuk ka asgjë lidhur me këtë, por unë do të thoja se AP ishte një agjenci globale dhe ata donin të përdorin këtë moment për të treguar se ne nuk do të lejonin askënd që të informonte atë pjesë tjetër të botës lidhur me çfarë po ndodhte këtu."

Mbi farsën ligjore, e quajtur nga komunistët "Çështja O", nuk janë gjetur regjistrime të tjera audio dhe ekspertët i vlerësojnë shumë këta dy shirita sepse mbi gjyqin tre-ditor kundër Oatis nuk mendohet të ketë ndonjë material video.


"Nuk ka dyshim që këto regjistrime kanë disa kuptime për ne. Së pari, fakti që janë autentike, çka do të thotë se mund të dëgjojmë zërin e Oatis, mund të dëgjojmë zërat e prokurorit, të gjykatësit, mund të përjetojmë atmosferën e të gjithë gjykimit. Ato kanë një domethënie historike, që do të thotë se regjistrimet shtojnë njohuritë tona për këtë proces, në mënyrë domethënëse, edhe pse këto njohuri nuk janë aspak të plota. Me anë të krahasimit që u bëra me të dhënat e shkruara të gjykimit, që mendohej të ishin identike, pashë se mes tyre ka dallime. Dhe së treti, ato tregojnë detaje rreth sistemit politik që ishte këtu me të gjithë shëmtinë e tij", thotë arkivisti Richard Mahel.

120 spektatorët që morën bileta për të qenë të pranishëm gjatë gjykimit, si shpërblim nga dega e Partisë Komuniste të Pragës, do të dëgjonin Oatis të thoshte:

Përkthyesi: "Sigurisht që ju duhet të keni patur kontakte të tjera për spiunazh?"

Oatis: "Po, ka patur të tjerë, ata ishin punonjësit e mi, natyrisht."


Një ofensivë diplomatike amerikane dhe embargot tregtare dhe të udhëtimit, të cilat dëmtuan rëndë regjimin, e detyruan Presidentin e ri të Çekosllovakisë Antonin Zapotocky ta falte William Oatis në maj të vitit 1953. Ai u kthye në Shtetet e Bashkuara gjatë të njëjtit muaj dhe u caktua si pjesë e stafit të AP-së pranë Kombeve të Bashkuara, ku punoi deri në daljen në pension, në vitin 1984.
XS
SM
MD
LG