Lidhje

Blerjet në SHBA pas ditës së Falenderimeve


E Premtja e Zezë në Shtetet e Bashkuara, vjen menjëherë pas Ditës së Falenderimeve dhe shënon fillimin e stinës së blerjeve dhe kompanitë shpresojnë që kjo ditë t’u sjellë fitime të mëdha. Këtë vit, uljet e çmimeve dhe ofertat filluan edhe më herët pasi dyqanet shpresuan të përfitojnë nga prirja pozitive për të blerë dhe kërkesat e konsumatorëve.

Nga Kalifornia në New York, stina e blerjeve fillon me radhë të gjata, turma të joshura nga ofertat e të Premtes së Zezë, për televizorë me ekran të sheshtë me çmim 99 dollarë, deri në lodra fëmijësh me më pak se gjysma e çmimit të tyre normal. Këto oferta mjaftojnë për të sjellë blerësit e kujdesshëm dhe ata kuriozë.

“Nuk kam dalë kurrë më parë nëpër dyqane për të Premten e Zezë, kështu që thjesht mendova ta provoj njëherë.”

“Mora këto lodra me ofertë speciale për fëmijën tim. Është shumë mirë.”

Këtë vit, çmenduria e blerjeve filloi më herët, dhe disa dyqane u hapën që në orën 6 në mëngjesin e Ditës së Falenderimeve. Traci Markel, menaxhere në një dyqan në Kaliforni, thotë se prurjet ishin të qëndrueshme që nga mbrëmja e së enjtes.

“Deri nga fundi i ditës së premte vijnë zakonisht mijëra klientë deri në orën 11 të darkës. Qindra mijëra njerëz.”

Vlerësohet se konsumatorët shpenzuan mbi 2 miliardë dollarë në Ditën e Falenderimeve. Deri në fund të muajit dhjetor, amerikanët pritet të shpenzojnë 600 miliardë dollarë, për shkak të kërkesës në rritje, të çmimit të ulur të karburantit, dhe të shtimit të vendeve të punës. Megjithëse nuk dihen ende saktësisht shifrat për të Premten e Zezë, Kathy Grannis, e Federatës Kombëtare të Shitjeve, thotë se shifrat nuk janë aq domethënëse sa në vitet e kaluara.

“Ndoshta nuk e besoni, por niveli i shitjeve gjatë të Premtes së Zezë nuk është tregues i një stine të mirë shitjesh për festat e fundvitit. Tani mund të ketë vetëm njerëz të përqëndruar tek uljet e mëdha, ndërsa gjatë një niveli të mirë shitjesh njerëzit duhet t’i shtrijnë blerjet njësoj në të gjithë sektorët. Pra, të mos përqëndrohen vetëm tek ato uljet me 70 apo 75%.”

Ashtu si edhe gjatë viteve të kaluara, kjo ditë nuk është ndoshta më e sigurta për të bërë pazar, siç po e vuajnë këta dy blerës që luftojnë për një televizor në Hjuston, Teksas.

Ndërsa në Mizuri, protestuesit kërkuan që dyqanet të mbyllen për të Premten e Zezë, në shenjë proteste për vendimin për të mos ngritur akuza ndaj një polici të bardhë që vrau një adoleshent të paarmatosur.

Por, për ata që nuk patën mundësinë të bëjnë pazar gjatë të Premtes së Zezë, do të vijojë edhe e Hëna e Internetit, që rezulton të jetë tashmë një nga ditët më të ngarkuara të vitit për blerjet online.

XS
SM
MD
LG