Lidhje

Shkencëtarët, entuziastë për përparimin në parandalimin e SIDA-S


Shkencëtarët, entuziastë për përparimin në parandalimin e SIDA-S
Shkencëtarët, entuziastë për përparimin në parandalimin e SIDA-S

Shkencëtarët njoftuan javën e kaluar një studim të rëndësishëm që tregon se mjekimet anti-retrovirale japin efekt në parandalimin e infektimit me virusin HIV në meshkuj homoseksualë. Studimi është një ndër arritjet e shënuara sivjet në gjetjen e një mënyre për të parandaluar infektimin me HIV. Një ndër shkencëtarët më të njohur në botë në luftën kundër SIDA-s, Dr. Anthony Fauçi na njeh me përpjekjet që po bëhen në këtë fushë, ndërkohë që aktivistët shënojnë nesër Ditën Botërore të SIDA-s.

Për 26 vjet, Dr. Anthony Fauçi ka qenë drejtor i Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Alergjike dhe Ngjitëse. Një karrierë që filloi thuajse në kohën kur SIDA u identifikua si kërcënim global.

“Kemi ende shumë punë përpara, por jemi në rrugën e duhur”.

Dr. Fauçi thotë se bota është ende e mbërthyer nga një epidemi shumë serioze, por viti 2010 ka rezultuar më premtues falë dy studimeve lidhur me metodat parandaluese kundër infektimit.

Një studim përfshinte 2500 meshkuj homoseksualë në disa pjesë të Amerikës Latine, Afrikë të Jugut, Tajlandë dhe Shtetet e Bashkuara. Një pjese të meshkujve në studim iu dha plasibo, ndërsa të tjerëve iu dhanë dy mjekime anti-retrovirale të kombinuara së bashku në ilaçin Truvada. Dr. Fauçi thotë se rezultatet nga këto ilaçe ishin shumë të mira.

“Pati një rënie prej 44 për qind në rrezikun e infektimeve të reja me HIV. Ajo që është më e rëndësishmja, ata që e morën ilaçin të paktën 90 për qind të ditëve kur duhet të ishin nën mjekim, patën një rënie të rrezikut në masën 73 për qind – pra një rezultat tepër i mirë”.

Në një tjetër studim, gra nga Afrika e Jugut u përfshinë në një provë klinike mbi një substancë xhelatinoze vaginale që përmbante 1 për qind të ilaçit anti-retroviral Tenofovir. Dr. Fauçi thotë se studimi tregoi rezultate pozitive të ilaçit në uljen e infektimeve.

“Rezultatet treguan një efikasitet prej 39 për qind, pra jo në masë të madhe, por gjithsesi i rëndësishëm dhe shpresojmë se do të ketë përmirësime, veçanërisht me ndjekjen më të mirë të regjimit”.

Për vite me radhë, shkencëtarët janë përpjekur pa sukses të gjejnë një vaksinë kundër HIV-it. Dr. Fauçi thotë se ka pasur sinjale pozitive edhe nga Tajlanda, megjithëse ka nevojë për më shumë studime.

Ndërthurjet e reja të ilaçeve, përparimi në gjetjen e një vaksine, masat parandaluese dhe provat klinike janë pozitive, thotë mjeku, por asgjë nuk jep rezultat pa përdorimin e prezervativëve, kufizimin e partnerëve seksualë dhe ndryshimin e praktikave seksuale.

XS
SM
MD
LG