Lidhje

Shkodër, fushatë ndërgjegjësuese e të rinjve kundër korrupsionit


Shkodër: Fushatë ndërgjegjësuese e të rinjve kundër korrupsionit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:56 0:00

Të shqetësuar për nivelin e lartë të korrupsionit në vend, të rinjtë e organizatës “Qëndresa qytetare” kanë nisur, në disa qytete të Shqipërisë, një fushatë ndërgjegjësuese me moton “Premtoi heroit tënd”. Të rinjtë kanë zgjedhur një formë të veçantë artistike, duke ju drejtuar qytetarëve përmes 11 figurave të shquara të kombit. Migen Qiraxhi i “Qëndresës qytetare” thotë se edhe në Shkodër kanë zgjedhur këtë formë komunikimi për të protestuar kundër nivelit të lartë të korrupsionit dhe për të nxitur qytetarët të ndërgjegjësohen në këtë prag të zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ndodhemi në një situatë elektorale dhe nevojitet që qytetarët të sillen me më shumë përgjegjësi dhe ndërgjegje për të marrë edhe ata përgjegjësitë e tyre për të orientuar drejtimin e vendit në mënyrë korrekte dhe të drejtë me zgjedhjen e tyre. Sigurisht që, aspektet elektorale të shitjes së votës kanë qenë ato që kanë dëmtuar në terma afatgjatë demokracinë e vendit tonë. Ne gjejmë hapësirën që, edhe në këtë situatë, të japim mesazhet tona, të cilat janë të nevojshme për qytetarët”, thotë ai.

Studenti Stiven Shala thotë se korrupsioni është i prekshëm në jetën e çdo qytetari dhe, në veçanti, të të rinjve. Ndaj, të gjithë bashkë si shoqëri, kërkohet që të reagohet kundër tij, thotë ai.

Korrupsioni është një problem shumë i madh, ashtu siç evidentohet edhe nga të gjithë raportet e institucioneve ndërkombëtare. Por, është edhe një fenomen që çdo shqiptar e përjeton çdo ditë duke nisë qoftë me sistemin shëndetësor, duke vazhdu me atë të edukimit dhe shumë hallka të tjera. Dhe ne, pikërisht përmes kësaj ekspozite po përpiqemi ta adresojmë këtë problem të madh”, thotë Stiven.

Sipas zotit Qiraxhi, nga analizat dhe studimet e “Qëndrës qytetare”, korrupsioni është një nga faktorët që shtyn të rinjtë të largohen jashtë vendit për të gjetur punë apo për një jetë më të mirë.

Kur i kemi pyetur të rinjtë, se cilat janë sfidat kryesore që ata i bëjnë të largohen nga vendi i tyre, një pjesë e madhe janë shprehur se është korrupsioni. Sigurisht që meritokracia e të rinjve, atyre që do të duhet të integrohen në tregun e punës, është dëmtuar. Ne shikojmë parti që shpërndajnë vende pune apo para në këmbim të tyre. Dhe, sa i përket brezit të ri, kjo është një pjesë shumë e rëndësishme që i orienton për t’u larguar jashtë vendit”, thotë ai.

Pas Shkodrës, “Qëndresa qytetare” do të vazhdojë fushatën e saj ndërgjegjësuese kundër korrupsionit edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Transparency International, Banka Botërore dhe disa organizata shqiptare, që monitorojnë korrupsionin, shprehen se fenomeni është përkeqësuar. Sipas raportit të fundit të Transparency International mbi indeksin e perceptimit të korrupsionit në botë, Shqipëria renditet e 36-ta në një sistem llogaritjeje me 100 pikë. Për shkak të korrupsionit dhe keqmenaxhimit të fondeve publike, abuzimit me tenderat, konçensionet, adminstrimin e pronës publike dhe mosndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar, perceptimi qytetar për nivelin e korrupsionit në Shqipëri vazhdon të jetë i lartë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG